Rritet kreditimi i biznesit privat

01/10/2014 00:00

Kredia për ekonominë u rrit për të katërtin muaj me radhë në gusht duke shënuar serinë më të gjatë pozitive në tre vjet.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vetëm në muajin gusht, stoku i huave në ekonomi u rrit me 6.2 miliardë lekë. Kjo ka bërë që për herë të parë nga viti 2012, kreditimi të rikthehet në territor pozitiv, përkatësisht 1.5 për qind më shumë se një vit më parë.

Sipas shifrave, thuajse e gjithë shtesa i dedikohet sektorit privat, dhe vecanërisht biznesit. Edhe pse një pjesë e saj është e lidhur me nëncmimin e lehtë të lekut ndaj monedhave të huaja, të dhënat tregojnë se ndërmarrjet kanë rritur kërkesën për hua dhe bankat po tregohen më të gatshme për t’i kredituar ato.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se ecuria pozitive ekredisë për katër muaj me radhë, sinjalizon se ky nuk është një zhvillim i përkohshëm, por një tendencë që shton shpresat se ndërmjetësimi financiar po del nga ngërçi. Kriza e kredive nisi në vitin 2012, kur bankat e huaja të diktuara edhe nga rregullat e Bashkimit Europian filluan të ulnin me shpejtësi ekspozimin në ekonominë shqiptare.

Përballë mungesës së financimeve, bizneset tkurrën investimet ndërsa individët konsumin, çka goditi edhe më shumë ekonominë duke e zbritur normën rritjes së prodhimit në nivelet më të ulëta historike rreth 1 për qind.

Top Channel