Stoltenberg shefi i ri i NATO-s

01/10/2014 00:00

Jens Stoltenberg është kreu i ri i NATO-s. Ish-Kryeministri norvegjez mori detyrën si Sekretar i 13-të Përgjithshëm i NATO-s duke pasuar në këtë post një tjetër nordik, danezin Anders Fogh Rasmussen.

Ceremonia e marrjes së detyrës u bë në zyrat qendrore të Aleancës në Bruksel me një interesim të madh të mediave.

Në profilin e tij në Twitter Stoltenberg u shpreh i gatshëm për detyrën e re dhe u zotua se do të punojë me anëtarët dhe partnerët e Aleancës për forcimin e mëtejshëm të saj.

Detyra e tij nuk është aspak e lehtë dhe mbërrin në një moment kur Aleanca përballet me atë që paraardhësi e quajti “sfida më e madhe e sigurisë që prej Luftës së Ftohtë”; krizën në Ukrainë.

Avantazhi i tij i tij në përballjen me Moskën sa i përket kësaj krize është historiku gjatë periudhës kur mbante postin e Kryeministrit të Norvegjisë, kur përmirësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe zgjidhi një mosmarrëveshje disa-vjeçare për një zonë në detin Barents.

Por detyra në krye të Aleancës është shumë herë më e vështirë. Stoltenberg duhet të vendosë në zbatim planin e veprimit afatgjatë të miratuar gjatë samitit të Uellsit, pa përplasje të forta me Moskën. Plani përfshin shtim të pranisë së NATO-s në ish-Republikat Sovjetike, forcimin e ushtrisë dhe të krijimin e një njësie të veçantë për ndërhyrje të shpejtë, që u quajt “grusht i hekurt i NATO-s”.

Zgjedhja e tij në kohën kur Aleanca përballet me sfidën më të madhe, ndoshta që prej themelimit të saj, nuk ka kaluar për kritika dhe dy janë më të fortat, e para lidhet me formimin e tij; vjen nga një fushë si ekonomia dhe pa asnjë përvojë në fushën ushtarake, dhe e dyta shihet si një njeri “soft” që i mëshon kompromisit më shumë se ç’duhet.

E vetmja ndihmë që mund t’i vijë në këtë rast shefit të ri të NATO-s janë marrëdhëniet personale miqësore që ka trashëguar me Putin dhe Medvedev gjatë kohës kur ishte kryeministër në vendin e tij.

Top Channel