Embargoja rrit prodhimin vendas në Rusi

01/10/2014 00:00

Ndalimi i importeve ushqimore nga Perëndimi, si kundërpërgjigje e Rusisë ndaj sanksioneve ekonomike, shton shpresat e prodhuesve rusë se bizneset e tyre mund të përfitojnë nga kjo situatë.

Muajin e kaluar, Moska njoftoi vendosjen e një embargoje njëvjeçare mbi produktet e mishit, qumështit, frutave dhe perimeve që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Kanadaja, Australia e Norvegjia.

Rritja e prodhimit të brendshëm ka ulur varësinë e Rusisë ndaj importeve bujqësore dhe të mishit. Por, ndërsa bizneset mund të përfitojnë nga gjendja e krijuar, konsumatorët i druhen një rritjeje të çmimit të ushqimeve.

“Jam shumë e shqetësuar. Nëse rritet çmimi i prodhimeve ushqimore ruse, kjo do të ndihet. Momentalisht çmimet e ushqimeve të brendshme janë konkurruese me ato nga Perëndimi”.

Zyrtarët rusë po përpiqen të sigurojnë publikun, se kufizimi i importeve nuk do të ketë ndikim të madh te çmimet dhe janë vënë në kërkim të furnizuesve në Azi dhe Amerikën Latine, për të zëvendësuar mallrat nga Perëndimi.

Embargoja e Moskës godet, nga ana tjetër, fermerët e vendeve të Bashkimit Europian. Eksportet e këtij të fundit në Rusi llogariten në gati 11 miliardë euro në vit, apo rreth 10% e të gjithë shitjeve të tij bujqësore.

Bllokada ruse i kushton BE-së plot 5 miliardë euro. Për të ndihmuar prodhuesit europianë, sidomos ata të fruta-perimeve, drejtuesit e bllokut njoftuan të martën një seri masash me vlerë 165 milionë euro.

Sanksionet ekonomike të vendosura Rusisë, për shkak të krizës ukrainase, rrezikojnë ta çojnë këtë vend dhe Perëndimin drejt një kursi përplasjeje, që sipas ekspertëve, mund të përfundojë edhe në luftë të mirëfilltë tregtare.

Top Channel