Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian zhvilloi seancën dëgjimore me
austriakun Johannes Hahn, të cilit i është besuar portofoli i
fqinjësisë dhe zgjerimit gjatë Komisionit të ardhshëm ‘Juncker’ dhe
eurodeputetët vendosin nëse ai është apo jo i pranueshëm për të ushtruar
këtë funksion.

Për rreth 3 orë, Hahn u pyet rreth deklaratës së Presidentit “Juncker” se nuk ka zgjerim në 5 vitet e ardhshme, për mesazhin që përçon ndaj vendeve aspirante dhe se si do të nxiten ato gjatë këtij mandati për plotësimin e reformave integruese.

“Kryetari i ardhshëm i Komisionit Jean Claude Juncker ka thënë se nuk do të ndodhë zgjerim i mëtejshëm i BE-së në 5 vitet e ardhshme sepse duhet të fokusohemi në konsolidimin e brendshëm të 28 vendeve anëtare. Thënë të drejtën asnjë nga vendet partnere nuk do të mund të jetë gati për t’u anëtarësuar në BE në këto 5 vite. Kjo nuk do të thotë bllokim i procesit, por e kundërta. Detyra ime është t’u ndihmoj partnerëve të bëhen gati për të përmbushur kriteret. Për të evituar çdo keqkuptim, do të shkoj në këto vende që në fillim të mandatit tim për t’i bindur se jemi të gatshëm të punojmë shumë me qëllim final anëtarësimin e tyre në BE. Do ta konsideroja si sukses të madh që në fund të mandatit, ndonjë shtet të jetë afër për t’u bërë anëtar. Shtetet e reja do të pranohen vetëm kur ato të jenë tërësisht gati. Kjo është edhe në të mirë të qytetarëve të këtyre shteteve”, tha Hahn.

Komisioneri Hahn u zotua se do të promovojë bashkëpunimin rajonal, sidomos dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, por dhe për zhvillimin e infrastrukturës që Ballkani të mos mbetet vrimë e zezë, veçanërisht për korridoret hekurudhore dhe rrugore.

Për Shqipërinë pati vetëm një pyetje nga eurodeputeti gjerman Knut Fleckeinstein, mbi nisjen e negociatave me Shqipërinë, por Komisioneri Hahn shmangu përgjigjet direkte në këtë Komitet.

3 janë prioritetet në procesin e zgjerimit sipas Hahn: sundimi i ligjit, ekonomia dhe funksionimi i duhur i demokracisë. Krahas këtyre, liria e shtypit dhe kapacitetet administrative do të jenë vendimtare për Komisionerin Hahn, që përsëriti dhe në Parlament se do të punojë me moton “cilësi para shpejtësisë“.

Johannes Hahn siguroi mbështetjen e eurodeputetëve të Komisionit të Jashtëm në parim, por socialdemokratët propozojnë që fjala “negociata” të hiqet nga titulli i Komisionerit, për shkak të konfuzionit që shkakton tek vendet kandidate dhe potencialisht kandidate. Komitetet e ndryshme të Parlamentit Europian zhvilluan ndërkohë seanca të ngjashme dëgjimore dhe me 9 kandidatë të tjerë për komisionerë.

Procesi përfundon në 9 tetor dhe Kolegji i Komisionerëve votohet në tërësi më 21 Tetor në seancë pleanare në Strasburg. Nëse dy ditë më pas, Këshilli i BEsë konfirmon këtë përbërje, Komisioni i ri nis punën në 1 Nëntor.

Top Channel