Nis përzgjedhja e anëtarëve të AMA-s

01/10/2014 00:00

Anëtarët e Komisionit të Medias dhe Arsimit kanë nisur shqyrtimin e kandidaturave për përzgjedhjen e anëtarëve të AMA-s, një proces i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Nënkryetari i këtij komisioni, Alfred Peza, tha se mazhoranca do të skualifikojë kanditatët e saj deri sa të arrijnë te numri 13, nga 26 që janë në total, e më pas komisioni do të votojë për përzgjedhjen e dy kandidatëve.

“Në çdo rast komisioni mban parasysh ruajtjen e balancave: 3 kandidatë të përzgjedhur nga shumica dhe 3 të tjerë të përzgjedhur nga opozita. Ndër 3 vendet bosh që ne do të përzgjedhim në procedurat në vijim, dy vende do të jenë të mbështetur nga mazhoranca dhe tjetri i mbështetur nga opozita. Në këto kushte, në përfundim, gjashtë anëtarët do të jenë 3 të mbështetur nga mazhoranca dhe 3 nga opozita, e më pas do të vazhdohet me përzgjedhjen e kryetarit të AMA-s”, u shpreh nënkryetari Alfred Peza.

Deputetja Mimoza Hafizi, më parë ka sqaruar mënyrën se si do të përzgjidhen me dyer të mbyllura vendet vakante në AMA.

“Gjithë emrat e listës janë emra të mbështetur nga mazhoranca, kurse në rastin e opozitës do të thoja se për emrin e mbështetur prej tyre ne do të jemi të hapur. Edhe ata, nëse do të duan të fillojnë nga një numër më i vogël se 25, ne do të biem dakord deri në numrin minimal 4. Kjo është toleranca maksimale nga ana jonë, që numri i seleksionimit të tyre të fillojë edhe nga numri minimal 4 persona. Besoj se mund të biem dakord në këtë komision”, deklaroi deputetja socialiste Mimoza Hafizi.

Opozita ka vijuar bojkotin e saj politik, bojkot që po ndikon edhe në ngërçin e dy institucioneve të rëndësishme, Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Këshillin e Radiotelevizionit shqiptar.

“Kemi përjashtuar kandidaten Marjana Çela, vendimi për të cilën, së bashku me procesverbalin e mbledhjes t’i njoftohet menjëherë përfaqësuesve të opozitës në rrugë zyrtare, me qëllimin që të vijnë e të ushtrojnë detyrën e tyre për eliminimin e kandidatit të radhës, sipas përcaktimit ligjor”, tha më tej nënkryetari Peza.

Ndërkaq, pasditen e së mërkurës, në mbledhjen e zhvilluar sërish pa praninë e opozitës, u vendos përjashtimi i kandidates Zhaklina Peto. Mbledhja e radhës do të zhvillohet të enjten, ku pritet të ndiqet sërish e njëjta procedurë.

Top Channel