Teatri Kombëtar prezanton sezonin e ri 2014-2015

01/10/2014 00:00

Teatri Kombëtar ka bërë publik sezonin e ri artistik 2014-2015.

Në një mbrëmje me të pranishëm artistë, ministren e Kulturës Mirela Kumbaro dhe artdashës, drejtori i këtij teatri, Hervin Çuli, prezantoi programin që përfshin nëntë pjesë, të cilat do të ngjiten në skenë nga Tetori deri në Maj.

Shtatë prej tyre janë premiera. Sezoni do të çelet këtë të premte me “Udhëtim i gjatë drejt natës”, me regji të Spiro Dunit. Regjisorë të tjerë gjatë muajve të ardhshëm, që do të ngjisin në skenë shfaqje, janë mes të tjerësh Arben Kumbaro e Hervin Çuli, ndërsa një hapësirë e gjerë u është lënë të rinjve në fushë, me pesë regjisorë të rinj.

“Janë që nga Sesilia Plasari, e cila është një regjisore e afirmuar, por që e ka për herë të parë vendin në Teatrin Kombëtar, Saimir Gongo me ‘Shtëpia pa dritare’, një tjetër producent i TK, Erion Kame. Kemi ‘Gruaja në dritare’, një vepër e shkëlqyer e dramaturgjisë shqipe nga Arta Arifaj, kosovare me regji të Rovena Lules, por edhe Driada Dervishin”, u shpreh drejtori i këtij institucioni, Hervin Çuli.

Edhe aktorë të rinj.

“Si asnjëherë këto 23 vjet, ne kemi deri tani 6 aktorë dhe aktore të reja të kontraktuar me Teatrin Kombëtar, që kanë marrë role pasi kanë fituar audicionet, por kemi edhe dy audicione të tjera”, shtoi më tej Hervin Çuli.

Sipas Çulit, nga ky sezon, edhe kushte më të mira në Teatrin Kombëtar.

“Gjatë periudhës së dimrit teatri do të jetë i ngrohtë. Një firmë shumë e njohur nafte na ka siguruar 10 mijë litra naftë, që e përballon të gjithë sezonin teatral. Ndërkohë jemi edhe me një tjetër kompani në tratativa, për të rinovuar kaldajën e vjetër të këtij teatri. Unë i premtoj publikut kryeqytetas, dhe do ta mbaj këtë, që salla e Teatrit Kombëtar do të jetë e ngrohtë gjatë stinës së dimrit”, përfundoi drejtori Çuli.

Top Channel