Sugjerohet rritja e çmimit të energjisë

01/10/2014 00:00

Rritja e çmimit të energjisë shihet si një mundësi, për të nxjerrë
sistemin energjetik shqiptar nga kriza edhe nga institucionet
ndërkombëtare.

Në prezantimin e raportit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, drejtori Janez Kopac tha se çmimi duhet të reflektojë koston e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes për të shmangur një falimentim të mundshëm të sektorit.

“Shqipëria ka përballë krijimin e një tregu. Pavarësisht se duhet të ndjekë detyrimin të hapë këtë treg në janar të 2015-s, do të duhet të kalojë në një periudhë tranzitore, pasi brenda afatit është e pamundur. Më pas duhet të adaptojë çmimet e nivelit të tregut. Besoj se ky çmim do të jetë më i lartë se çmimi ekzistues, që është shumë i ulët krahasuar me të gjitha vendet përreth dhe veçanërisht më ato që kanë një treg funksional. Nuk kemi sugjeruar sa përqind duhet të rritet cmimi sepse këtë e përcakton tregu, por këmbëngulim që çmimi të reflektojën koston sepse kjo është mënyra e vetme për të mbijetuar në periudhë afatgjatë’, thotë Kopac.

Duke iu referuar debatit të nxehtë mes qeverise dhe prodhuesve private te energjise per çeshtjen e çmimit, zoti Kopac sugjeron rinegociimin e kontratave koncensionare.

“E di që ka disa probleme sepse kemi marrë një letër nga shoqata e heceve private dhe i kemi kërkuar sqarim edhe qeverisë. Dimë që është akumuluar një borxh i madh nga e shkuara në bazë të këtyre koncensioneve. Kontratat duhet të respektohen por mesa kuptoj këto kontrata nuk janë formuluar sic duhet dhe për të dyja palët është mirë që këto kontrata të rinegociohen sepse pa një hartim të mencur të tyre sistemi energjetik do të shkonte në falimentim dhe Shqipëria nuk është rasti i pare”, thekson Kopac.

Referuar humbjeve të energjisë që aktualisht janë në nivelin 40 %, zoti Kopac tha se është një sfidë që kërkon kohë, por mund të realizohet me vullnet politik dhe investime. Ndërsa marrëveshja me CEZ që u mbështet nga komuniteti i energjisë ishte një mënyrë për të mos mbajtur Shqipërinë peng të një konflikti që nuk do të lejonte reformimin e sistemit dhe investimet.

Top Channel