Ukrainë, sërish predha, 10 viktima në Donjeck

01/10/2014 00:00

Të paktën 10 viktima janë shënuar të mërkurën, kur predhat goditën një fushë sportive të një shkolle dhe një minifugon të transportit publik, në një rrugë pranë Donjeckut në Lindje të Ukrainës. Një tjetër veprim ky që minon armëpushimin e brishtë mes separatistëve dhe forcave qeveritare.

Mësuesit mundën të drejtonin nxënësit e shkollës “Nr 57” drejt një bodrum për të qenë të sigurt në momentin kur nisi bombardimi, teksa raportohet se nuk ka asnjë fëmijë mes viktimave, sipas dëshmitarëve dhe autoriteteve bashkiake.

Predhat ranë rreth orës 10 të mëngjesit, në ditën e parë të shkollës, pasi rreth 50-60 nxënës të moshave nga 8 deri në 10 vjeç kishin hyrë në shkollë. Mes viktimave mësohet të jetë edhe një mësues biologjie dhe i ati i një prej fëmijëve që po studionin në atë shkollë, siç thonë mësuesit.

Veç trupave të tyre dhe një të treti që është identifikuar si luftëtar separatist, korrespondentët e “Reuters” thonë se edhe 6 trupa të tjerë janë gjetur të djegur brenda minifugonit në një prej rrugëve aty pranë.

Administrata rajonale tha se 10 persona janë vrarë nga bombardimi në qytet, një prej fortesave të rebelëve të mbështetur nga Rusia, të cilët kanë nisur prej kohësh një fushatë rebelimi ndaj qeverisë pro-perëndimore në Kiev. Ndërkaq, për rebelët janë 12 viktimat total, duke shtuar se trupat e dy personave të vdekur janë zhvendosur nga vendngjarja.

9 persona të tjerë janë plagosur, 7 prej të cilëve janë dërguar në spital, bëri të ditur Bashkia në një deklaratë në faqen zyrtare të internetit. Autoritetet e qytetit fajësojnë për këtë sulm rebelët, ndërsa separatistët bëjnë me faj forcat qeveritare.

Top Channel