“Turqia do të sulmojë. Assad, të largohet”

01/10/2014 00:00

Turqia do të luftojë kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera “terroriste” në rajon, por gjithashtu nuk do të heqë dorë nga synimi i saj për të parë Presidentin sirian Bashar al-Assad të largohet nga pushteti.

Kështu është shprehur Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë së mërkurës.

Avancimi i kryengritësve të Shtetit Islamik shumë pranë kufirit të Turqisë me Sirinë, dhe vendosja e tyre përballë ushtrisë turke në këtë pjesë të kufirit, ka ushtruar më shumë presion ndaj Ankarasë që të luajë një rol edhe më të madh në koalicionin e udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara, duke ndërmarrë sulme ajrore kundër kryengritësve në Siri dhe Irak.

“Do të luftojmë me efektivitet si Shtetin Islamik edhe organizatat e tjera terroriste në rajon. Ky do të jetë prioriteti ynë”, tha Erdogan në një fjalim të mbajtur këtë të mërkurë në çeljen e punimeve të Parlamentit.

“Do të vazhdojmë të ruajmë si prioritet edhe synimin tonë për të larguar regjimin sirian, të ndihmojmë në mbrojtjen e integritetit territorial të Sirisë, si dhe të inkurajojmë një sistem qeverisës kushtetues e parlamentar, i cili do të përfshijë të gjithë qytetarët e saj”.

Turqia ka një vijë kufitare prej 1200 km me Irakun dhe Sirinë, teksa është duke vuajtur pasojat e strehimit të rreth 1 milion e gjysmë refugjatëve, të cilët i janë larguar luftës siriane, pa përfshirë ata të zhvendosur nga ISIS.

Ushtria turke ka dërguar tanke dhe mjete të blinduara në kufirin me Sirinë gjatë kësaj jave, teksa luftimet janë intensifikuar dhe qeveria ka bërë një propozim ndaj Parlamentit, për të zgjeruar fuqitë e saj mbi autorizimin e inkursioneve ushtarake përtej kufirit.

Por, Turqia i frikësohet faktit se sulmet ajrore të udhëhequra prej Amerikës, nëse nuk shoqërohen me një strategji të gjerë politike, do të forcojnë Assadin dhe militantët kurd të lidhur me kurdët në Turqi, të cilët kanë luftuar prej 3 dekadash për një autonomi më të gjerë.

“Bombat nga ajri, vetëm sa do të shtynin kërcënimin dhe rrezikshmërinë e tyre”, tha Erdogan, duke shtuar se rikthimi i sigurt i refugjatëve sirianë të gjendur në Turqi drejt vendlindjes së tyre ishte gjithashtu një prioritet.

“Jemi të hapur dhe të gatshëm për çdo bashkëpunim në luftimet kundër terrorizmit. Gjithsesi, duhet kuptuar prej të gjithëve se Turqia nuk është vendi që nxit zgjidhje të përkohshme, as nuk do të lejojë që të tjerët të përfitojnë avantazhe prej saj”.

Top Channel