NATO, Stoltenberg: I sigurojmë mbrojtje Turqisë!

01/10/2014 00:00

Në konferencën e parë për shtyp, pas marrjes zyrtare të postit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke zëvendësuar kështu Anders Fogh Rasmussen, lideri i ri i Aleancës Atlantiko-Veriore është ndalur kryesisht në sfidat më të vështira me të cilat përballet “aleanca më e sukseshme në histori”, siç theksoi ai.

Pas falenderimit të 28 vendeve anëtare, që i dhanë atij besimin për ta kryesuar aleancën, ai nuk ka lënë pa falënderuar edhe Sekretarin e larguar për punën e madhe dhe shumë të rëndësishme të bërë përgjatë 5 viteve të fundit.

“Ne përballemi me sfida të rëndësishme, disa prej të cilave të njohura e disa të reja. Por demokracitë tona duhet të vazhdojnë të rriten përpara çdo sfide. Ashtu siç bëmë në samitin e Uellsit, kur u vendos një kurs i qartë me vendimet e ndërmarra, sipas të cilave do të sigurohet gatishmëria e NATO-s për t’u përballur me të ardhmen. Detyra ime është implementimi i atyre vendimeve të marra, një detyrë që kërkon punë dhe kohë, por e di që do të kem mbështetjen e të gjithëve për t’ia dalë mbanë”, tha Stoltenberg.

Në takimin e parë të Këshillit Atlantiko-Verior, të kryesuar prej tij, janë rishikuar të gjitha situatat e ndryshuara të sigurisë përreth vendeve aleate.

“Sa i përket Lindjes, armëpushimi në Ukrainë ofron një mundësi, por Rusia e ruan ende aftësinë e saj për të destabilizuar Ukrainën, madje vazhdon të jetë në shkelje të ligjeve ndërkombëtare”, theksoi Stoltenberg sa i përket situatës së tensionuar në Ukrainë dhe rrezikshmërisë që paraqet Rusia për vendet e tjera aleate.

“Ndërsa në Jug, destabiliteti po përhapet në rajonet tona fqinje. Koalicioni ndërkombëtar, ku përfshihen edhe vende aleate të NATO-s dhe partnerë të tjerë rajonalë, po ndërmarrin hapa vendimtare kundër grupit terrorist të ISIL-it. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet për të forcuar aftësinë e Irakut për të mbrojtur vetveten. Dërgesat tona të “Patriot”-ëve kontribuojnë gjithashtu në mbrojtjen ajrore ndaj aleatit tonë, Turqisë. Këto sfida na bëjnë edhe më të qartë se përse kemi nevojë për NATO-n” vijoi më tej Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s.

“Me të marrë këtë rol, janë tre prioritetet e mia: Të ruaj NATO-n të fortë, të ruajmë stabilitetin e fqinjëve tanë dhe të ruajmë lidhjet mes Europës e Amerikës së Veriut tepër të forta”.

“Detyra më e rëndësishme e Aleancës është mbrojtja e kombeve tona kundër sulmeve. Artikulli 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut mbetet ende baza e aleancës sonë. Do të mbajmë angazhimet tona dhe do të ndihmojmë aleatët. Jemi një aleancë për mbrojtje kolektive, dhe secili prej aleatëve luan një pjesë të vetën dhe përmbush përgjegjësitë e veta”, ritheksoi edhe njëherë qëllimin e ekzistencës së aleancës.

Vizitat e tij të para do të jenë në Poloni dhe Turqi, për të vërejtur në terren situatën. Këto, për shkak të sfidës madhore që po i bën Rusia sigurisë euro-atlantike, ndaj dhe do të vijojnë patrullimet nga ajri në vendet Baltike, por duke mos synuar aspak një konfrontim të NATO-s me Moskën.

Top Channel