Zgjedhjet 2015, Cameron premton ulje taksash

01/10/2014 00:00

Kryeministri britanik David Cameron premtoi të shkurtonte taksat për thuajse gjysmën e popullsisë britanike, nëse ai rizgjidhej në krye të qeverisë vitin e ardhshë. Një premtim ky, që ai shpreson të marrë me miliona vota dhe të heqë fokusin e debatit ndaj përçarjeve brenda partisë së tij mbi Europën.

Premtimi, i cili do t’i kushtojë atij mbi 7 miliardë paund shkurtime (11,3 mld USD), ishte një hap i llogaritur mirë në përpjekje për të ndryshuar përkufizimin nga një kryeministër, i cili është fokusuar në shkatërrimin e partisë antieuropiane UKIP (Partia për Pavarësinë e Britanisë së Madhe), në kryeministrin që rizgjidhet duke marrë mbështetjen e plotë të votuesve dhe ligjvënësve.

Ky konsiderohet gjithashtu një përpjekje për të nisur edhe rritjen e partisë së tij konservatore në sondazhet e bëra ndaj opinionit publik, në të cilat janë prej muajsh prapa opozitarëve laburistë, duke ruajtur perspektivën e një ëmbëlsuesi për të balancuar një premtim më pak joësh për ngrirjen e kontrolleve ndaj mirëqenies me atë të zvogëlimit të shpenzimeve shtetërore.

“Por, çfarë do të bëhet me Britaninë?”

Cameron, 47 vjeç, i pyeti mbështetësit e mbledhur brenda një salle koncertesh në konferencën e përvitshme të partisë së tij në qytetin e Birminghamit. E më pas u përgjigj: Le të mos kthehemi sërish në shesh, por të përfundojmë atë që kemi nisur!

Në një fjalim që preku edhe vendimin e Skocisë për të qëndruar si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, kërcënimin e Shtetit Islamik, rolin e Britanisë në Luftën e Dytë Botërore, Cameron u tha aktivistëve se ai dëshironte dhe e ka të nevojshme të rizgjidhet me një mazhorancë absolute, në mënyrë që të qeveriste i vetëm dhe jo nëpërmjet koalicioneve, siç po bën deri më tani.

“Më besoni, koalicioni nuk është gjëja që do të kërkoja, por është ajo që kam bërë i detyruar”, tha ai. “Por gjithashtu di edhe se çfarë dua në të ardhmen. Të kthehem sërish këtu në Tetorin e 2015-s, duke hartuar politikat konservatore”.

Cameron i ka dhënë fund një muaji tepër të trazuar, duke futur Britaninë në luftë me militantët e Shtetit Islamik në Irak, duke menduar për dështimin e tij nëse Skocia do t’i thoshte “po” ndarjes nga Mbretëria e Bashkuar, e duke parë dy ligjvënës të tij të largohen për t’iu bashkuar partisë antieuropiane.

Në fjalimin e tij, ai u përpoq të mbante një posturë kreu shteti të qetë, teksa synon të fitojë mbështetje ndaj udhëheqjes së tij, qëndrueshmërinë e partisë së tij dhe bërjen e disa premtimeve përpara votuesve.

Në qendër të vëmendjes ishte premtimi për t’i nxjerrë rreth 1 milion punëtorë jashtë sistemit të taksave nëse rizgjidhet, duke u lejuar atyre të fitojnë më shumë përpara se të paguajnë taksën mbi të ardhurat, një premtim që ai tha se do të reduktonte taksat edhe për 30 milionë banorë të tjerë, apo thjesht gjysmës së popullsisë së vendit.

Ai u angazhua gjithashtu të lehtësonte barrën ndaj klasës së mesme, duke rritur pragun e normës 40% të tatimit mbi të ardhurat në vend.

Top Channel