Këshilli i Prokurorisë votoi 7 me 0 në favor të shkarkimit të ish-drejttuesit të Prokurorisë së Pukës, Pëllumb Premçi, i cili po gjykohet në Shkodër për llogari të skandalit të publikuar gati një vit më parë, nga emisioni “Fiks Fare”.

Ish-kryeprokurori i Pukës Premçi ka qëndruar gjatë kësaj kohe i pezulluar nga detyra, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që votimi i kësaj të mërkure i këshillit i përcillet Kryeprokurorit, i cili për çështje orësh pritet të firmosë shkarkimin e prokurorit Premçi.

Po gjatë ditës, Këshilli i Prokurorisë mori dëshminë e shefit të auditit, në Prokurorinë e Përgjithshme, Thoma Janko, emri i të cilit u lakua nga prokurori Premçi, si njeriu që i kishte ndërhyrë për ta zgjidhur në rrugë jo të ligjshme çështjen, që rezultoi më pas një skandal në drejtësi.

Zyra e shtypit njofton se “Këshilli i Prokurorisë është në fazën e shqyrtimit të të dhënave, sipas të cilave zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme mund të ketë luajtur rolin e negociatorit ndërmjet ish-drejuesit të Prokurorisë Pukë dhe të pandehurit në atë proces gjyqësor, P. Pjetri, lidhur me mosmarrëveshjet që duket se kishin me njëri-tjetrin jashtë procesit penal, por që kishin lidhje me atë proces”, bën të ditur Prokuroria e Përgjithshme.

Këshilltari i Prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani, thotë për mediat se biseda rezulton të jetë kryer para se çështja të bëhej publike. Skandali i Pukës implikoi ish-kryetarin e Gjykatës, Shtjefën Lleshi, sekretaren, prokurorë, avokatë e kancelaren.

Top Channel