Raporti i ISHP-së mbi depresionin

01/10/2014 00:00

Rreth 47% e grave dhe 30% e burrave, të moshës 65-75 vjeç, në vendin tonë kanë shenja të depresionit.

Të dhënat i përkasin studimit IMIAS, i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, lidhur me shëndetin mendor dhe mobilitetin e të moshuarve, ndërsa bëhen publike në Ditën Botërore të të Moshuarve.

Sipas specialistëve të ISHP-së, kapja e hershme e sëmundjeve kronike dhe edukimi mbi parandalimin e rreziqeve, në popullatat e rritura 40-60 vjeç, është prioritare, por nuk duhet harruar se kjo praktikë do të ishte shumë e dobishme edhe te personat mbi 60 vjeç, apo të moshuarit në përgjithësi.

Sipas të dhënave, sëmundjet kronike si depresioni, paaftësia dhe performanca fizike paraqiten shumë më keq te femrat e moshuara, krahasuar me meshkujt.

Më e rëndë, situata duket se është te 22% e grave dhe 12% e burrave të moshuar, të cilët kanë 4 ose më shumë sëmundje kronike.

Në Tiranë vërehet një përqindje më e lartë e sëmundjeve kronike, depresionit dhe paaftësisë, krahasuar kjo me vende të zhvilluara.

Një e dhënë tjetër, që tregon situatën në të cilën ndodhen të moshuarit, lidhet me paaftësinë e të ecurit pa ndihmë për 400 metra, apo për të ngjitur shkallët.

Studimi vë në dukje se kjo vlente për 40% të meshkujve dhe 65% të femrave, ndërkohë që 18% e të moshuarve kanë pasur një rrëzim gjatë vitit të kaluar. Për sa u takon medikamenteve, një në katër të moshuar në Tiranë përdorin një medikament psikotrop pa recetë.

Top Channel