Rriten të ardhurat në dogana

01/10/2014 00:00

Përmirësimi i punës në administratën doganore, sipas drejtoreshës Elisa Spiropali, është reflektuar në mbledhjen e të ardhurave, që për muajin Shtator janë rritur me 3 miliardë lekë, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në takimin e dytë të programit të Asistencës së Doganave Shqiptare “Crown Agents”, Spiropali tha se këto rezultate vënë administratën doganore para përgjegjësisë, që të ecë me të njëjtin ritëm, duke mos e konsideruar këtë si një periudhë sporadike.

“Në Shtator, realizimi i të ardhurave ka qenë i plotë 100%, me një rritje 28.4% më shumë se Shtatori i shkuar. Rritja më e lartë kjo, që kemi pasur për këtë vit, konkretisht me 3 mld lekë, ose 30 mln dollarë më shumë”, tha drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali.

Duke iu referuar periudhës 6-mujore të punës në Shqipëri, përfaqësuesi i “Crown Agents” tha se janë kryer mbi 4000 kontrolle të plota dhe të pjesshme.

“Kemi ndërmarrë 2373 kontrolle të plota, 1999 të pjesshme dhe kemi verifikuar 1187 raste zbulimi. Nuk janë vepra penale, por shkelje e regjimeve doganore për shkak të mungesës së njohurive mbi ligjin, apo ndryshimet ligjore për të cilat nuk kishin dijeni”, tha David Smith, drejtor i programit të “Crown Agents”.

Pas dy fushatave të kryera për akcizën dhe regjimin e lejimit të përkohshëm të automjeteve, në fokus të punës së doganës dhe “Crown Agents” është sektori i hidrokarbureve.

Top Channel