Barroso: Asociimi BE-Ukrainë është bilateral

01/10/2014 00:00

Amendimet e paktit tregtar mes BE-së dhe Ukrainë, i cili është vënë në qendër të tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, mund të dakordësohen vetëm mes Brukselit dhe Kievit, ka bërë të ditur kreu i Komisionit Europian, Barroso.

Presidenti rus Vladimir Putin kërkon një mundësi për negociata tripalëshe për të amenduar marrëveshjen, të cilën Rusia e konsideron si shkatërrimtare të ekonomisë së saj, e që ka kërcënuar se do të ngushtojë aksesin e Ukrainës në tregjet ruse, nëse Kievi e implementon atë ashtu siç është.

“Kemi shqetësime të forta në lidhje me adoptimin e një dekreti prej qeverisë ruse, që propozon barriera të reja tregtare mes Rusisë dhe Ukrainës”, i tha Jose Manuel Barroso, përmes një letre të shkruar, Putinit, letër e cila u publikua nga zyra e liderit të BE-së të mërkurën.

“Marrëveshja e Asociimit BE-Ukrainë mbetet një marrëveshje bilaterale dhe në respekt të plotë të ligjeve ndërkombëtare, ndaj dhe çdo përmirësim i saj mund të bëhet me kërkesën e njërës prej dy palëve, e me dakordësimin e palës tjetër”, shkroi ai në letrën që i përgjigjej asaj të shkruar më parë nga Putin kundrejt Barrosos dhe Presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, më 17 Shtator.

Sipas zyrtarëve të BE-së, Rusia kërkon të heqë më shumë se 2000 produkte të ligjshme për aksesin pa doganë në Bashkimin Europian, që përbëjnë rreth 1/4-tën e marrëveshjes, në atë që Putin e përshkruante në letrën e tij si “përshtatje sistematike”.

Marrëveshja tregtare BE-Ukrainë qëndronte në zemër të “luftës” mes Perëndimit dhe Rusisë dhe nxiti protestat në Kiev, të cilat çuan në rrëzimin e ish-Presidentit Viktor Yanukovich, e më pas në aneksimin e Krimesë nga Rusia, konfliktin e armatosur në Lindje të Ukrainës dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Moskës.

Implementimi i marrëveshjes së nënshkruar në Qershor e që u ratifikua në Shtator është shtyrë për më 31 Dhjetor 2015, në një shenjë lëshimi ndaj Moskës.

Top Channel