“Rilindja e qyteteve”, transformimi i Fierit

01/10/2014 00:00

Nëpërmjet një fondi të akorduar nga qeveria prej 196 milionë lekësh, nisi rikonstruksioni i bulevardit “Jakov Xoxa” në Fier.

Nga ky investim, në kuadër të programit për “Rilindjen e Qyteteve”, rreth 100 mijë banorët fierak do të përfitojnë: 1 km bulevard, 12.500 metra katrorë trotuare, përfshi një pedonale me sipërfaqe 21 mijë metra katrorë.

Ky projekt, i cili u inspektua nga kryeministri Edi Rama, parashikon të ketë gjithashtu 1.800 metra katrorë sipërfaqe të gjelbëruara. Rikthimin në Fier kësaj here, kryeministri Rama e përshkruajti si mbajtje të zotimeve duke nisur punën konkrete.

“Unë besoj që ky është vetëm fillimi i një pune transformuese, që ne po e nisim nga koka dhe jo nga këmbët, sepse për një kohë të gjatë, fatkeqsisht, paratë e taksapaguesve u shpenzuan shumë rëndom dhe shumë shpesh, duke i nisur punët nga këmbët. Duke i lënë qytetet e Shqipërisë, qendrat e jetës ekonomike dhe sociale të saj, tërësisht në harresë dhe duke bërë që Fieri, edhe pse është një nga kontributorët më të mëdhenj në arkën e shtetit shqiptar, për vite të tëra të mos shohë asnjë qindarkë investime publike dhe për vite të tëra të vuajë harresën, braktisjen dhe një rrënim të vazhdueshëm”, tha kryeministri Rama.

Edhe për Fierin, ai tha se në këto 4 vjet do të investohet më shumë se ç’është bërë në 20 vjet të marra së bashku.

“Qëllimi ynë është t’i japim qyteteve mundësinë që të rilindin, duke rilindur shpresën e shumë familjeve të reja, që mund ta ndërtojnë jetën këtu, mund t’i rrisin fëmijët këtu dhe mund ta shohin të ardhmen e tyre të lidhur me qytetin, e jo domosdoshmërisht ta braktisin atë për të shkuar në emigracion, apo për të ikur në Tiranë. Ky është qëllimi dhe ne, këtë qëllim do ta realizojmë së bashku”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, duke ecur përgjatë bulevardit qëndror të Fierit, pa nga afër edhe rikonstruksionin e fasadave të 60 pallateve. Në vëmendjen e kryeministrit ishte edhe një angazhim i tij për t’ia rikthyer fierakëve lumin Gjanica, të cilin kreu i qeverisë e quajti si “të transformuar njësoj si Lana e dikurshme në Tiranë”.

Rama ftoi të gjithë ata që kanë ngritur aktivitetin tyre mbi lumë, që të mendojnë të largohen, sepse shumë shpejt do të ndërhyhet për ta pastruar lumin nga ndërtimet. Në kuadër të “Tetorit Gjerman”, në sheshin “Europa” të Fierit u ngrit në mënyrë simbolike flamuri gjerman, në shenjë mirënjohjeje për miqësinë mes dy vendeve.

Top Channel