Qeveria rrit akcizën e duhanit

01/10/2014 00:00

Qeveria ka miratuar një projekligj përmes të cilit do të rrisë çdo vit taksat e duhanit për tre vitet e ardhshme. Edhe pse vendimi është një akt fiskal, ai nuk u njoftua nga Ministri i Financave, por nga ai i Shëndetësisë, i cili tha se kjo politikë synon të mbrojë shëndetin e qytetarëve.

“Edhe pse ky është formalisht një akt fiskal, besojmë se frenimi i duhanpirjes do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, por edhe impakt social dhe ekonomik”, tha Ilir Beqaj.

Në fillim të këtij viti qeveria e rriti me 28.5 për qind akcizën e cigareve, nga 70 në 90 lekë për paketë. Madje, që në atë kohë ajo e kishte parashikuar në buxhetin afatmesëm se rritja do të vazhdonte me 10 lekë për paketë në vit deri në 2017.  

Por, burime thanë për Top Channel se me aktin e fundit qeveria e ka rënduar masën e rritjes. Kreu i shëndetësisë nuk i bëri publike shifrat, por tha se përmes këtij vendimi qeveria synon ta barazojë akcizën me vendet e BE-së, edhe pse në këto vende të ardhurat mesatare për frymë janë tre herë më të larta se në Shqipëri.
 
“Ndryshimi i akcizës do të ketë efekt vit pas viti dhe efekti do të shtrihet deri në vitin 2017 në mënyrë të përshkallëzuar”, shtoi ministri i Shëndetësisë.

Rritja e taksave për duhanin ka qenë sporti më i preferuar i qeverive vitet e fundit. Aktualisht, në çmimin e një pakete më shumë se 60 për qind shkon si taksë për buxhetin, një politikë kjo që sipas qeverisë ka ulur konsumin e duhanit.

Ndonëse, për disa ekspertë rëndimi i taksave më shumë se uljen e konsumit ka nxitur kontrabandën e cigareve.

Top Channel