Kina paralajmëron Hong Kongun

02/10/2014 00:00

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj çdo protesta “të paligjshme” në Hong Kong. Ai e cilësoi situatën e krijuar si një çështje të brendshme të Kinës. Wang Yi foli nga Uashingtoni ku ndodhet në një vizitë.

“Çështja e Hong Kongut është një çështje e brendshme e Kinës dhe të gjitha vendet duhet të respektojnë sovranitetin e Kinës, askush nuk do të lejojë aktet të paligjshme që shkelin rendin publik”, tha Wang Yi. Më pas ai u shpreh se kishte besim në zgjidhjen e situatës nga qeveria e Hong Kongut.

Ndërsa, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerri i bëri thirrje Hong Kongut të vetëpërmbahet në trajtimin e protestave. 

“Ne kemi shpresa të mëdha që autoritetet e Hong Kongut do të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe respekt për të drejtën e protestuesve për të shprehur mendimet e tyre në mënyrë paqësore”, tha Kerry.

Një gazetë kineze paralajmëroi për “pasoja të paimagjinueshme”, nëse protestat do të vazhdojnë. Ndërsa televizioni shtetëror kinez tha se policia në Hong Kong duhet mbështetur në përpjekjen e saj për të vendosur rendin shoqëror sa më shpejtë të jetë e mundur.

Ndërkohë të mërkurën protestat u përshkallëzuan në Hong Kong në 65-vjetorin e Ditës Kombëtare të Kinës, ditë që përkujton me ceremoni festive themelimin e Republikës Popullore.

Mijëra protestues dolën në rrugët dhe sheshet e zemrës financiare të qytetit duke, por ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë jo për të festuar me fishekzjarre dhe koncerte, por për të protestuar.

Protestuesit kundërshtojnë vendimin e Pekinit për të vendosur veton mbi kandidatët që në zgjedhjet e 2017 në Hong Hong.

Top Channel