Putin: Sanksionet, një marrëzi totale

02/10/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin i ka konsideruar sanksionet e Perëndimit si një “marrëzi e plotë” gjatë së enjtes, kur dhe tha se ato nuk do ta ndalin Rusinë të bëhet një superfuqi edhe më e fortë ekonomike.

Në përpjekje për t’u ngritur në nivelin më të lartë, gjatë fjalimit të tij përpara investitorëve të huaj por edhe rusë, Putin tha se ishte i qetë në lidhje me masat e vendosura ndaj vendit të tij për shkak të ndikimit në Ukrainë, edhe pse ato kishin shkelur parimet themelore të ekonomisë globale.

Duke folur përpara financuesve, të shqetësuar mbi ekonominë në dobësim, largimin e kapitelit dhe një rritje të mundshme të ndërhyrjes shtetërore, ai tha se Rusia e ka mëse të mundshme të përballojë këtë stuhi.

“Në të vërtet, ne duam një vend që është i fortë, i lulëzuar, i lirë dhe i hapur ndaj botës”, tha ai gjatë konferencës “VTB Rusia bën thirrje për investime”, duke përjashtuar kufizimet e lëvizjes së kapitalit apo valutës jashtë Rusisë.

Duke bërë të qartë se synimi i tij është të qetësojë investitorët e shqetësuar, ai nisi më vonë një sesion pyetje-përgjigje, duke thënë me një buzëqeshje të sforcuar se “Gjithçka që mund të bëj është të qesh, për t’i treguar djallit se nuk është aq frikësues sa duket”.

Në kontrast me disa biznesmenë, të cilët i frikësohen faktit se prej sanksioneve Rusia mund të hyjë në një periudhë të re izolimi, Putin nënvizoi se ai e sheh vendin si pjesë e ekonomisë botërore dhe, krahasuar me të tjerët, një anëtar që zbaton rregullat.

Ai tha se sanksionet shkelin parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë, minojnë besueshmërinë e institucioneve ndërkombëtare financiare dhe stoqet rezervë, si dhe mund të shkaktojnë dëme afatgjata ndaj të gjithë ekonomisë botërore.

“Është një marrëzi totale e këtyre qeverive, të cilat po kufizojnë bizneset e tyre, po i ndalojnë ato të punojnë, po reduktojnë konkurrueshmërinë e tyre, duke hapur hapësira për rivalët e tyre në një treg premtues si Rusia”, tha ai. “Do të doja të shpresoja, që mund ta lëmë pas krahëve këtë periudhë keqkuptimesh”, shtoi më tej ai.

Top Channel