Putin: Stabiliteti në Ukrainë, në interesin tonë

02/10/2014 00:00

Nga forumi rus për thirrjen e invesitorëve, Presidenti Vladimir Putin ka folur edhe për situatën e destabilizuar në Ukrainë.

Të enjten, ai tha se kishte shpresa që zgjedhjet parlamentare në Kiev, që do të zhvillohen më 26 Tetor, do të mund të sjellin qëndrueshmëri për vendin, pasi kjo gjë është edhe në interes të Rusisë, theksoi Putin.

Qeveria e Kievit e ka akuzuar Moskën për ndërhyrje në çështjet e brendshme të saj, duke mbështetur drejtpërdrejt separatistët prorusë në luftimet kundër forcave qeveritare në Lindje të Ukrainës, akuza të cilat Rusia i ka mohuar prej kohësh.

“Dalja e Ukrainës nga kriza politike dhe ekonomike është gjithashtu në interes të kombit rus”, tha Putin përpara investitorëve të huaj dhe rusë në Moskë, duke iu referuar Ukrainës si kombi “më vëllazëror” i Rusisë.

“Jemi të interesuar të kemi një partner dhe fqinj të besueshëm dhe të parashikueshëm”, tha ai. Putin shtoi se zgjedhjet mund të nxisin stabilitet në Ukrainë, nëse Kievi do të garantojë të drejta të plota për të gjithë shtetasit ukrainas, një referencë e qartë kjo për rusishtfolësit e këtij vendi.

Rajonet e kontrolluara nga rebelët, Luhansku dhe Donjecku, kanë deklaruar objektivin e tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 26 Tetorit.

“Shpresoj që zgjedhjet parlamentare në Ukrainë të jenë të denja dhe të sjellin të shumëpriturin stabilitet politik për vendin”, deklaroi Presidenti rus.

Top Channel