Qeveria greke pritet që, brenda këtij muaji, të publikojë në revistën e Komuniteteve Europiane, shpalljen e tenderit për eksplorimin e hidrokarbureve në detin Jon dhe në Jug të Kretës, ndërsa në Tetor 2015 parashikohet të fillojnë kërkimet për naftë dhe gaz në këto zona.

Lajmi është bërë i ditur në një konferencë shkencore në Athinë nga Aleksandra Sdokou, shefe në Ministrinë e Energjitikës, ku dhe është prezantuar grafiku i procedurave përkatëse.

Pas dorëzimit të ofertave deri në Prill të vitit 2015, do të bëhet vlerësimi i tyre në Korrik të po atij viti dhe në vjeshtë do të fillojnë punën sondat e kompanive fituese të tenderave.

Gjithashtu, në konferencë janë prezantuar edhe përparësitë e investimeve në kërkimet në gjithë territorin grek, provat inkurajuese për ekzistencën e depozitave, të dhënat e fundit nga anketat sizmike, korniza institucionale transparente dhe konkurruese, tatimi i ulët prej vetem 25% dhe pozicioni strategjik i Greqisë, që është konsideruar nga të pranishmit si një port i sigurt në një rajon të trazuar.

Ministri i Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit Klimatik, Janis Maniatis, ka deklaruar se ekziston një interesim shumë i madh për tenderat dhe ka prezantuar projektet më të rëndësishme energjitike që po realizohen në Greqi, si gazsjellësi TAP, një stacion i gazit të lëngshëm, si dhe ndërtimin e një stacioni të ri të gazit natyror në Greqinë e Veriut.

Nga ana e tij, një zyrtar tjetër, përgjegjës për politikat e naftës në këtë Ministri, ka paraqitur të dhëna që dokumentojnë ngjashmërinë e proporcioneve gjeologjike të nëntokës greke me ato të Shqipërisë dhe Italisë, ku janë kryer zbulime të rëndësishme të hidrokarbureve në vitet e fundit.

Top Channel