Kanceri i gjirit, sëmundja që prek gratë

02/10/2014 00:00

Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë te gratë, duke zënë vendin e parë të tumoreve malinje, që i prekin ato. Vitet e fundit, kjo patologji po haset në mosha të reja, më pak se 35-vjeç.

Statistikat tregojnë se në Europë, 1 në 10 gra shfaq tumor të gjirit, ndërsa në Shqipëri nuk ka një evidencë të kësaj situate. Por, çfarë raportohet me siguri është numri i jetëve që humbin nga kjo sëmunjde.

Çdo vit në vend raportohen rreth 400 gra, që vdesin si pasojë e kancerit të gjirit. Një studim ndër vite i sëmundjeve kanceroze, tregon se në 3 dekadat e fundit rastet me këtë sëmundje janë trefishuar.

Po si mundet, që një grua apo një vajzë të kuptojë, që është prekur nga kanceri i gjirit?

Shenjat e kancerit të gjirit

Për fat të keq, fazat e hershme të kancerit të gjirit mund të mos shfaqin asnjë simptomë. Por, me rritjen e masës, tumori mund të japë një sërë shqetësimesh dhe anomali, si:

– fryrje në gji apo në sqetull
– ndryshim të masës dhe formës së gjirit
– rrjedhje nga thitha apo futje brenda e thithës
– skuqje ose rrjepje e lëkurës së gjirit ose thithës
– rrudhosje ose gropëza në lëkurë

Jo në të gjitha rastet, këto simptoma të tregojnë për praninë e kancerit të gjirit, por ato nuk duhen nënvlerësuar sa herë një grua i vëren. Menjëherë duhet kontaktuar me mjekun, i cili përcakton ose jo diagnozën.

Por, mënyra më e mirë për të luftuar kancerin e gjirit është parandalimi përmes ekzaminimeve të rregullta.

Testet e kontrollit përbëjnë një pjesë thelbësore të mjekësisë parandaluese. Ato ndihmojnë në diagnostikimin e sëmundjeve, në fazat para se këto patologji të bëhen të dëmshme. Dhe, në këto teste për kancerin e gjirit, së pari dhe shumë e rëndësishme është vetekzaminimi i përmuajshëm i gjirit nga femrat.

Statistikat tregojnë se gratë, të cilat kryejnë në mënyrë të rregullt vetekzaminim, diagnostikojnë 90% të gjithë tumoreve të gjirit.

Por, çdo grua duhet që, së paku një herë në vit, të kryejë një vizitë mjekësore. Ndërsa midis moshës 40-50 vjeç të kryeje të paktën 3 mamografi dhe, një çdo 2 vjet pas moshës 50 vjeç. Me këtë skemë kontrolli është i mundur kurimi i tumoreve të vegjël.

Diagnostikimi në kohë i kancerit të gjirit është hapi i parë i trajtimit të plotë të sëmundjes. Studimet kanë treguar se, sa më e vogël madhësia e kancerit në momentin e diagnostikimit, aq më e madhe është mundësia e shërimit me rrugë kirurgjikale, aq më të larta janë shanset për mbijetesë të pacientes.

Top Channel