Maqedonia rrezikon të humbasë rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Disa ditë para publikimit të raportit të progresit, mediat në Shkup raportojnë se Komisioni Evropian, këtë vit po shqyrton mundësinë që të mos i rekomandojë Maqedonisë nisjen e negociatave.

Ajo që ka shtyrë zyrtarët evropianë, të mendojnë seriozisht për heqjen e rekomandimit nga raporti i fundit, është mungesa e dialogut politik dhe raportet e përkeqësuara mes pushtetit dhe opozitës në Shkup, pas zgjedhjeve të fundit.

Këto informacione kanë nxitur debate mes partive maqedonase. LSDM-ja opozitare ka fajësuar pushtetin për ngecjen e vendit në planin e integrimit, ndërsa zyrtarët qeveritarë thonë se është opozita maqedonase ajo që, përmes bojkotit të Kuvendit, ka krijuar imazh negativ dhe po rrezikon procesin e integrimit.

Edhe pse në pesë vitet e kaluara ka marrë vazhdimisht rekomadinimin nga Komisioni Evropian, Maqedonia nuk ka arritur t’i fillojë negociatat për anëtarësim me BE-në.

Analistët presin që këtë vit raporti të përfshijë më shumë kritika se vitet e kaluara. Madje, disa prej tyre nuk përjashtojnë mundësinë e kthimit të vizave për Maqedoninë, nëse Komisioni Evropian ia mohon rekomandimin për çeljen e negociatave.

Raporti i progresit pritet të publikohet më 8 Tetor.

Top Channel