Qeveria Rama, shteti dhe ne

04/10/2014 00:00

ZAMIRA ÇAVO – Më 23 qershor 2013, shqiptarët votuan shpresën për të
ringritur shtetin. Mungesa e ligjit, mungesa e rregullave i kishte dhënë
pushtet “të fortit”, klanit dhe parasë.

Vendi po ecte me shpejtësi drejt humnerës ekonomike, sociale e politike. Votat iu dhanë Ramës me shpresën e ribërjes së shtetit. Sot, një vit pas marrjes së pushtetit, unë e them me bindje se, Rama ia doli të frenojë revanshin që shteti dhe vendi kishin marrë drejt një rrënimi gati tërësor. Ndaj më duken pa vend dhe aspak të sinqerta kritikat apo sharjet në drejtim të qeverisjes, me pretendimin se “nuk ka bërë asgjë”! Të frenosh një revansh negativ, shteti e shoqërie bashkë, nuk është e lehtë. Kërkon vullnet për ta bërë, kërkon sakrifica, e mbi të gjitha kërkon kohë. Në një vit realisht u stopua e keqja. Pra vendi nuk shkoi më keq. Dikush mund të thotë: Pse për këtë votuam ne, që të mos shkonim më keq? Por besoj gjithkush e di se për të shëndoshur një trup të plagosur, më parë duhen mjekuar plagët. Dhe plagët e Shqipërisë ishin të shumta. Akoma janë të tilla. Ndaj duhet kohë. Pas kësaj unë shpresoj të fillojë ringritja. Ringritje do të thotë forcim institucionesh, forcim dhe zbatim ligji, do të thotë punësim dhe përmirësim i kushteve ekonomike.

Padurimi i njerëzve për të parë më të mirën e qeverisjes është i kuptueshëm, por e pajustifikueshme është një tendencë që po duket së fundmi jo thjesht në kritikat vend e pa vend ndaj shtetit, por edhe në kundërshtinë ndaj veprimeve të tij të ligjshme. Më konkretisht:

Nëse kërkuam ligjin dhe rregullin, atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm se zbatimi i ligjit kërkon dhe sakrifica. Ai që për qejf apo për hall e ka shkelur ligjin, do të detyrohet të ndëshkohet! Nëse ka ndërtuar pa leje, do t’i prishet ndërtimi, nëse ka tregtuar mall në kushte higjienike skandaloze do t’i sekuestrohet malli dhe do t’i ndalohet shtija. Ashtu sikundër u mbyllën disa universitete apo shkolla fantazma! Ashtu sikundër do të duhet të mbyllen klinika fantazmë apo agjenci mashtruese. Nuk është e lehtë për ata që e pësojnë, por nëse donim shtetin, kjo duhet të na gëzojë dhe jo të na kundërvërë ndaj tij. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër ka të bëjë me mënyrën se si zbatohet Ligji. Vullnetin për ta zbatuar ligjin qeveria e ka, madje po e demonstron me actshow gati çdo ditë. Por zbatimi i ligjit bëhet nga individët që jo rrallë ose janë ata që e lejuan shkatërrimin e shtetit ose janë të paaftë për ta bërë këtë. Me këtë dua të them se reformat e mëdha zbatohen nga njerëz me integritet, me përkushtim dhe të guximshëm. Por, në mendimin tim, administrata publike është akoma shumë larg pretendimeve të reformave. Emërimet, edhe pse thuhet “sipas ligjit” bëhen sipas “njohjes”, ose në mjaft raste sipas përkatësisë në LSI. Për sa kohë që administrata do të gëlojë nga njerëz të tillë, nuk mund të presim atë ringritje, e cila në vitin e dytë të qeverisjes do të duhet të jetë e dukshme dhe e vrullshme. Kam qenë dhe jam në krahun e të rinjve, por mungesa e përvojës jo rrallë vë në vështirësi zbatimin e reformave e për më tepër kur nuk ke as përgatitjen e duhur dhe as përvojën, është e kuptueshme që nuk merr dot përgjegjësi mbi vete. Dhe ndodhin zvarritje, mosrealizime e mbi të gjitha mosshërbime ndaj qytetarit.

Është shumë e lavdërueshme marrja nën kontroll e territorit dhe rigjallërimi i qyteteve. Mjedisi i qytetëruar do të ndikojë në jetesën tonë. Por, krahas kësaj, është e nevojshme të mendohet më shumë për punësimin. Sidomos punësimin e të rinjve. Socialistët, që për tetë vite u persekutuan nga sistemi i Berishës dhe mbetën pa punë, sot janë në shumicën e tyre, në po atë gjendje. Dikush do të thotë se punësimi bëhet sipas meritës. Sikur të ishte kështu, do të ishte një mrekulli. Por s’ka pse punëson dikë që të qenët në administratën publike e ka “hobi” dhe nuk ka as ndonjë aftësi të veçantë e asnjë nevojë ekonomike, sepse ka biznese të fuqishme nga pas, e nuk punëson të birin apo të bijën e dikujt që nuk ka asnjë të ardhur. Nuk do t’i shkruaja këto rreshta nëse qeverisja do të ishte e djathtë. Por një qeverisje e majtë ka detyrimin të shikojë mundësitë për të siguruar barazitë sociale. Nuk bëhet fjalë për të mbushur administratën publike me militantë të Partisë Socialiste, por ama me “pseudomilitantë” të LSI-së është mbushur! Socialistët e ndershëm, ata që mendojnë se shteti tashti do të funksionojë me rregulla e ligje, qëndrojnë në hije, në pritje të politikave që favorizojnë punësimin dhe ndershmërinë në karrierën profesionale!

Reformat e thella kanë padyshim dhe viktima. Qeverisja socialiste e ka në thelbin e vet ndihmën ndaj grupimeve të viktimizuara. Pra, krahas reformave, duhen menduar dhe politikat mbështetëse për ata që humbasin a viktimizohen nga reforma. P.sh.: U bë mbyllja e disa universiteteve private. Një reformë kjo më se e domosdoshme dhe më se e mirëkuptuar nga të gjithë. Por janë qindra të rinj që kanë humbur paratë, kohën dhe shansin. Më së paku shteti do të duhej t’i ngarkonte me përgjegjësi penale abuzuesit dhe t’i detyronte të zhdëmtonin monetarisht studentët! Më pas dhe ata që e lejuan këtë skandal piramidal në arsim, duhen nxjerrë para përgjegjësisë! Për sa kohë që nuk do të ketë ndëshkime dhe përgjegjësi, askush nuk do të besojë në një ringritje të vërtetë! Kështu do të thosha dhe për energjinë elektrike, për shpronësimet, për kthimin e pronave etj., etj.

Ne shqiptarët e kemi zakon të kritikojmë çdo gjë dhe kur nuk kemi asnjë argument për ta bërë. Por të “nxish” çdo realitet pozitiv publik, është njëlloj si të kesh baltosur të ardhmen e fëmijëve të tu. Qeverisja Rama po punon fort për imazhin e Shqipërisë. Dhe kjo duhet vlerësuar. Por duhet menduar paralelisht dhe për hallet e shqiptarëve si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Sepse, kjo është jeta jonë reale dhe nuk mund të “imazhohet”. Ka shumë probleme që presin zgjidhje. Por, sigurisht më jetiket nuk kanë kohë të presin.

Qeverisja Rama ka shansin që tashmë që ka hyrë në vitin e dytë të pushtetit, të sigurojë funksionimin real të shtetit si mbrojtës dhe shërbëtor i interesave të publikut. Nëse mendon se ka kohë, unë them se edhe një minutë e humbur është kosto e madhe për këtë qeverisje. Askush nuk e ka të garantuar pushtetin dhe mendimi se kemi kohë, të bën të humbasësh kohë dhe pushtet njëkohësisht! Nga ana tjetër, çdokush që mendon se do të bëjë diçka për vendin, duhet të mendojë se më parë duhet të bëjë “diçka” për popullin! Dhe kjo “diçka” është jeta e tij e përditshme, është puna dhe të ardhurat e tij!

Top Channel