Lind fëmija i parë nga një mitër e transplantuar

04/10/2014 00:00

Në Suedi lindi fëmija i parë i mbjellë në një mitër të transplantuar. Operacioni ishte i pari i llojit të tij dhe sipas mjekëve të një spitali në Gotenborg, si nëna ashtu edhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore.

I mituri lindi disa javë para kohe. Nëna e tij, një 36-vjeçare që ka kërkuar të ruhet anonimati, kishte lindur pa mitër dhe e kishte të pamundur të realizonte ëndrrën e saj; krijimin e një familjeje.

Dy vite më parë dëshirë e fortë për të lindur vetë një fëmijë e bëri që të pranonte t’i nënshtrohej operacionit të transplantimit të mitrës, që e kishte siguruar nga një e afërme 60-vjeçare që pranoi të ishte dhuruesja.

Mjekët thonë se pas transplantit përgjatë një viti lindi nevoja e përdorimit të barnave mjekësore dhe shumë kurave për të zbutur reagimin e imunitetit të organizmit të 36-vjeçares, që kundërshtonte mitrën.

Menjëherë pasi u krijuan kushtet, 36-vjeçarja iu nënshtruar “fekondimit in vitro” (IFV) dhe ecuria e shtatzënisë u mbykqyr nga afër nga një ekip mjekësor i specializuar për vetë faktin se operacioni ishte pilot.

Fatmirësisht gjithcka shkoi më së miri dhe mjekët thonë se si foshnja e porsalindur, ashtu edhe nëna e tij gëzojnë shëndet të plotë, ndërkohë që i ati i fëmijës thotë për “Associated Press” se “fëmija i tij nuk është ndryshe nga të tjerët, por me siguri do të ketë një goxha histori për t’u treguar të tjerëve kur të rritet”.

Top Channel