Sfidat e diplomates së re të BE në Tiranë

05/10/2014 00:00

Përpara nisjes së detyrës në terren, ambasadorja e re e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, u paraqit në komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, ku larg kamerave ajo u pyet për më shumë se 1 orë mbi sfidat kryesore që has vendi, në prag të publikimit të raportit vjetor të progresit nga komisioni.

Ndërsa vlerësohet angazhimi dhe ecuria e reformave gjatë muajve të fundit në vend, në këtë mbledhje vërehet shqetësimi i eurodeputetëve për të motivuar Shqipërinë, në një kohë kur Brukseli deklaron se nuk ka zgjerim për 5 vjet.

Fjalët kyçe mbeten korrupsioni, krimi i organizuar, emigracioni, gjakmarrja, pandëshkueshmëria, dialogu politik e bojkoti, ndërsa kujtohen qëndrimet irredentiste të ish-kryeministrit Berisha.

Top Channel zbardh dhe publikon pjesën më thelbësore të diskutimit me dyer të mbyllura ku eurodeputetët shprehen pa rezerva për Shqipërinë, duke përmendur edhe mungesën e koordinimit mes ambasadave të vendeve anëtare të BE-së në Tiranë.

“Siç e dimë, Kroacisë i mori 9 vjet nga kandidatura deri në anëtarësimin e plotë, dhe kolegu im Austrevicius ngriti çështjen e deklaratave për moszgjerimin në 5 vitet e ardhshme. Si do t’i motivojmë shqiptarët se dyert e BE-së nuk janë tërësisht të kyçura?”, pyeti Andrej Plenkoviç, zv/President i PE.

“Mënyra se si e shoh unë është se nuk do të ketë anëtarësime të reja, por zgjerimi në vetëvete po vazhdon. Pra procesi qëndron dhe nisur nga komunikimet e mia me palë të ndryshme në Shqipëri, unë nuk kam marrë idenë se brenda 5 vitesh ata do të ishin anëtarë të plotë. Tani është i rëndësishëm komunikimi, jo vetëm për nivelin politik, por edhe ndaj njerëzve për t’u treguar se çdo të thotë kjo”, tha Romana Vlahutin.

“Nuk ka polarizim, por gjithnjë e më shumë instalim të kulturës së bojkotit, sepse nëse para disa vitesh bojkotonin forcat e majta, tashmë kemi një riprodhim të spektrit të djathtë politik, një bojkot të Partisë Demokratike, tashmë me disa hezitime. Por, në fund ekziston rreziku që jo vetëm të zgjasë polarizimi, por të instalohet me të vërtet kultura e bojkotit”, u shpreh Cristian dan Preda, eurodeputet rumun në PPE.

“A besoni se një vend ku shumicën e kohës qeveria dhe opozita nuk komunikojnë, mund të promovojnë dialog rajonal në një zonë ende të pastabilizuar?”, pyeti Tonino Picula, eurodeputet kroat, S&D.

“Kultura e bojkotit, siç ju e thatë zoti Dan Preda, do të jetë një tjetër sfidë kyçe, se si të dalim nga kjo filozofia që fituesi i merr të gjitha. Nuk do të jetë e lehtë dhe këtu unë mbahem te ndihma juaj në aspektin edukues, nëse mundem. Në mënyrë që të krijojmë një atmosferë, ku njerëzit do të kuptojnë se gjërat nuk kufizohen me 4 vitet e mandatit të tyre politik”, vijoi më tej Romana Vlahutin.

“Grupi im, konservatorët dhe reformistët europianë, është gjerësisht në favor të zgjerimit me Ballkanin, por më duhet të pranoj se Shqipëria ka një prag të vështirë në portën e vendit tim. Për fat të keq ka reputacionin për korrupsion të gjithëpërhapur, krim të organizuar, për një demokraci mjaft të papjekur, duke përfshirë bojkotin nga partitë opozitare, dhe siç e thashë më parë, një traditë të padobishme komentesh irredentiste dhe këtu citoj atë të ish-kryeministrit Berisha për Shqipërinë e Madhe, kur vizitonte Tetovën në Maqedoninë fqinje, një vit më parë”, tha Charles Tannock, eurodeputet britanik, ECR.

“Si mund ta ndalojmë kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri? Siç e dimë, Shqipëria mban vendin e 116 ndër 177 shtete për indeksin e korrupsionit dhe çështja tjetër lidhet me regjimin e liberalizimit të vizave dhe lirinë e udhëtimit. Në 7 muajt e fundit të këtij viti, krahasuar me 1 vit më parë, numri i azilkërkuesve është dyfishuar. Si mund t’i parandalojë Shqipëria njerëzit që të mos largohen, sepse shumë njerëz po ikin për në Europë?”, deklaroi Tanja Fajon, eurodeputete S&D.

“Pandëshkueshmëria do të mbarojë, mendoj, kur njerëzit në Shqipëri nuk do ta pranojnë më dhe do të kërkojnë të drejta që u jep ligji. Kjo është kyçe. Për fat të keq ka një perceptim për disa aspekte, sidomos për emigracionin shqiptar, por kjo lidhet me krijimin e prosperitetit në Shqipëri, për punë, arsim dhe një jetë më të mirë, sidomos për të rinjtë. Për krimin e organizuar dhe trafikun mendoj se kjo kryhet nga njerëz me origjinë shqiptare që jetojnë në vende të ndryshme europiane dhe, së pari, në këto vende ku ata jetojnë mendoj se puna më e madhe i përket organeve ligjzbatuese. Pra përgjegjësia më e madhe bie mbi vendin ku kryhet krimi, e ku personi është rezident, dhe nëse ka elementë ku Shqipëria mund të ndihmojë, ka mekanizma bashkëpunimi që përdoren e duhen përdorur, sepse krimi i organizuar nuk ka komb e nuk njeh kufij”, u përgjigj Romana Vlahutin.

Për diplomaten e parë kroate të BE-së në Ballkan, deri tani vendi ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe pozitiv. Por politika rajonale e Shqipërisë në terren mbetet për t’u parë vitin e ardhshëm.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel