Miliarderi kinez që po blen Arktikun

06/10/2014 00:00

Njësoj si një akullthyes, Huang Nubo vazhdon marshimin e tij të pandalshëm në Arktik, i vendosur të blejë pjesë të tëra toke në rajonin gjeopolitikisht më të nxehtë të planetit, i kthyer në simbolin e së ashtuquajturës “Polar Rush”, ose gara për shfrytëzimin e burimeve natyrore, gjithnjë e më të aksesueshme për shkak të shkrirjes progresive të akujve.

Një personazh i denjë për një histori spiunazhi, Huang Nubo, 58 vjeç, poet, alpinist, përfaqësues i propagandës së partisë komuniste dhe së fundmi miliarder, i është shtuar lojës së madhe të shekullit XXI, sepse në çatinë e botës fuqitë e mëdha po luftojnë për të siguruar një vend në diellin e zbehtë polar.

Dhe Kina, edhe pse nuk laget nga Oqeani Arktik dhe që për rrjedhojë nuk ka të drejtë të jetë pjesë e ndeshjes, është në vijën e parë duke shprehur hapur synimet e saj.

“Arktiku është i të gjithëve dhe ne kemi një të pestën e popullsisë botërore, ndaj kërkojmë të drejtat tona me çdo kusht”, ka deklaruar admirali Yin Zhu, strateg i pushtimit kinez të rrugëve ujore polare, që përgjysmojnë rrugën e anijeve tregtare mes Azisë dhe Perëndimit.

Natyrisht, shumë e kanë të vështirë t’u besojnë fjalëve të miliarderit Nubo, se po blen qindra kilometra katrorë shkëmbi arktik vetëm për të ndërtuar resorte turistike dhe fusha golfi për turistët e shumtë kinezë që në vitet e ardhshme do të “kërcasin dhëmbët” mes akullnajave.

Aktualisht pasaniku është në garë për Svalbardin, arqipelagu norvegjez që ndodhet mes Polit të Veriut dhe kontinentit. Nëse qeveria e Oslos nuk bën një anti-ofertë joshëse, mbi 1 miliard euro, “shoku” Nubo do të vendosë flamurin kinez në Austro Adventfjord, një territor prej 217 kilometra katrorë male, më shumë se dyfishi i Manhatanit, vetëm se pak i heshtur pasi është i pabanuar.

Por nëse plani për resorte turistike nuk ecën, nuk ka asnjë problem pasi ekziston një plan B: 20 milionë tonelata qymyr që ndodhen nën tokë.

Top Channel