Pandemia e AIDS-it që në vitet 1920

07/10/2014 00:00

AIDS është konsideruar si sëmundja e shekullit të 20-të dhe u ka marrë jetën miliona personave në mbarë botën.

Për herë të parë mjekësia u njoh me virusin që shkatërron imunitetin e organizmit në vitet ’80. Që nga ajo kohë përpjekjet dhe fushatat ndërgjegjësuese se si të mbrohesh prej saj kanë qenë të panumërta.

Paralelisht me këto në komunitetin e shkencëtarëve mjekë është zhvilluar një debat mbi origjinën e pandemisë së virusit.

Së fundmi një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh pretendon se ka zbuluar origjinën e pandemisë dhe kohën kur ajo ka ndodhur duke zbërthyer kodin gjenetik të HIV-it.

Sipas tyre pandemi ka shpërthyer në vitet 1920 në Kinshasa, qytet afrikan që sot është pjesë e Republikës Demokratike të Kongos.

Raporti thotë se vendosja e një rrjeti hekurudhor, zgjerimi i aktiviteteve ekonomike, mungesa e sterizilimit nëpër spitale dhe rritja e numrit të shtëpive publike në ish-koloninë e Belgjikës ishin faktorët kryesorë në përhapjen masive të virusit tek miliona njerëz.

Grupi i shkencëtarëve u mundua të ndërtojë “pemën gjenealogjike” të virusit dhe doli në disa rezultate interesante.

“Te gjenomët e sotëm gjejmë gjurmët e mutacioneve të pësuara nga virusi ndër vite, gjurmë që nuk mund të fshihen”, thotë Oliver Pybus, profesor i Universitetit të Oksfordit, pjesë e grupit të studiuesve.

Në bazë të këtyre gjurmëve shkencëtarë ndërtuan “pemën familjare” të virusit deri tek rrënjët e tij.

Sipas tyre, HIV është një mutacion i “simian immunodeficiency”, një virus që prek shimpanzetë. Studiuesit besojnë se kalimi nga shimpanzetë tek njeriu është bërë nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar, ndërkohë që më vonë kanë pasuar mutacionet e tjera.

Njëri prej tyre është ai që njihet si HIV-1 nëngrupi O, që preku mijëra persona në Kamerun, ndërsa tjetri ishte HIV-1 nëngrupi M, që u përhap me shpejtësi në mbarë botën. Pyetja që mundoi shkencëtarët ishte se përse u përhap vetëm nëngrupi i dytë në mbarë botën dhe jo i pari?

Ata e shpjegojnë këtë me kushtet shoqërore dhe ekonomike. Në vitin 1920 Kinshasa ishte pjesë e Kongos Belge dhe në atë kohë njihej si Leopoldville. “Ishte një zonë shumë e madhe që rritej me shpejtësi si nga popullsia ashtu edhe ekonomikisht. Arkivat mjekësore të kohës tregojnë për ekzistencën e një sërë sëmundjesh seksualisht të transmetueshme”, shpjegon Oliver Pybus.

Top Channel