Roboti i parë shqiptar për xhirime nënujore

07/10/2014 00:00

Çfarë mund të kenë të përbashkët roboti i parë shqiptar, batiskafi i filmit “Ballë për ballë” dhe peshku mbi 30 kg i kapur pak ditë më parë në Durrës? Të treja mbajnë emrin e Thoma Berberit.

Ky pasionant i zhytjeve nënujore, që në adoleshencë krijonte maska dhe pushkë deti, të cilat i përmirësonte më vonë. Ishtë rreth të njëzetave, kur filloi të skiconte format e para hidrodinamike të mjetit nënujor, që donte të ndërtonte.

Kureshtja e çdo zhytjeje dhe dokumentimi i fundit të detit, e shtynë më tej në ndërtimin e një “BOX” për kamera “Arriflex”, për të bërë të mundur xhirimin nën ujë.

Ndërkohë, më vonë Thomai projektoi edhe batiskafin e parë shqiptar, i cili u bë i njohur edhe në filmin “Ballë për ballë”. Ky teknik i pajisjeve nënujore u mor edhe me krijimin e një mininëndetëseje. Mjeti luftarak do të ishte 18 metra i gjatë dhe do të mbante dy persona në bord.

Pas viteve ’90 dhe rënies së sistemit komunist, Thomai nuk hoqi dorë nga pasioni i tij, madje këtë ia trashëgoi edhe të birit, Eraldit. Së bashku, ata krijuan robotin e parë shqiptar për xhirime nënujore. I ndihmuar nga drita të fuqishme, ai kryen vëzhgime deri në 150 metra thellësi, të cilat mund të shihen në kohë reale në kompjuterin përkatës.

Thellësia e detit është oazi i kësaj familjeje.

Top Channel