U mbyll me një sukses të madh publiku e kritike, edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe atij me Metrazh të Shkurtër, që mblodhi në Romë disa prej emrave më të njohur, jo vetëm të kinemasë, por edhe të teatrit, muzikës dhe baletit.

Gjatë dy ditëve të festivalit, i ndjekur nga mbi dy mijë spektatorë, u paraqitën vepra që preknin aspekte nga më të larmishmet, si emigracioni, angazhimi social, spektakli, teknologjitë e reja apo videoklipet muzikore.

Shqipëria ishte e pranishme me dokumentarin “20 mijë lega nën det”, i realizuar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit , Auron Tare, në bashkëpunim me Top Channel.

Dokumentari trajton idenë e ngritjes së një muzeu nënujor, për të admiruar zbulimet e rëndësishme arkeologjike të kryera në brigjet shqiptare, një muze i së ardhmes, që do të ishte i vetmi i këtij lloji në të gjithë Mesdheun.

Shfaqja e dokumentarit ishte një rast i mirë për t’i ilustruar publikut të shumtë në sallë, vlerën e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe pasuritë e vyera të kulturës sonë.

Festivali, që sapo u mbyll, tanimë është bërë një event i rëndësishëm në kërkimin, shpërndarjen dhe promovimin e veprave më të mira nga e gjithë bota.

Top Channel