Të humbur në mes të askundit

08/10/2014 00:00

Për këta njerëz koha nuk ka asnjë kuptim. Janë bashkëkohës të shekullit XXI, por jetojnë tërësisht jashtë epoke. Zhvillimi dhe teknologjia për ta janë elementë të ndonjë dimensioni tjetër njerëzor.

“Nuk kemi pasur kurrë as televizor dhe as radio. Nuk e di çfarë viti është…”
Kjo është familja Demisha, katër anëtarët e së cilës banojnë në fshatin Kodras të Ersekës, në mjerim të plotë. Pa të ardhura, me kushte që nuk mund të lidhen me nevojat njerëzore dhe për shumë vite pa drita.

“Edhe qeni nuk jeton kështu. Kemi 5-6 vjet pa drita. I kanë hequr pasi nuk paguaja paratë”, thotë Behari.

Në këtë shtëpi nuk punon askush. Puna e fundit e Beharit, kryefamiljarit 52-vjeçar, ka qenë në vitin 1991: “Nuk kemi toka. Pa bukë jemi.”

Lavdia tregon: “Gatuaj ato që na japin. Sot kemi ngrënë reçel me bukë. Gatuaj jashtë.”

Përveç kushteve të këqia, gjendja shëndetësore e pjesëtarëve gjithashtu nuk është e mirë. Më e vjetra e shtëpisë lëngon në shtrat, ndërsa banorët thonë se pjesëtarët e tjerë kanë kufizime të shëndetit mendor. Por, vizita mjekësore ata nuk kanë kryer kurrë dhe kurrë ndonjëri prej tyre nuk është kuruar.

“Nuk kam qenë kurrë në qytet. Merrem me gjërat që ka nevojë shtëpia, marr shkarpa, dru…”, thotë Lavdia.

Lavdia është motra e Beharit. Ajo nuk është martuar dhe jetën e saj ja ka kushtuar rritjes së mbesës 23-vjeçare, Xhensildës. Kur Xhensilda ishte 6 muajshe, prindërit e saj u ndanë: “E la e ëma dhe e rrita unë. Është bërë për tu martuar tani.”

Shtëpia deri pak kohë më parë mbahej me të ardhurat e ndihmës sociale dhe kempeve që merrnin pjesëtarët e saj. Sot, për fatin e tyre të keq, këto lekë nuk i marrin më.

“Të ardhura kam pasur 200 mijë lekë, por nuk m’i japin më. Jam i mbytur me borxhe nëpër dyqane”, thotë kryefamiljari.

Ylli Jaupi, një banor i fshatit tregon: “Asistencën ua prenë se duhet të ribëjnë dokumentat, por ata nuk janë në gjendje t’i bëjnë kartat. Nuk besoj të ketë në Shqipëri një familje më të mjerë.”

Ndërkohë që shteti e ka lënë në harresë këtë familje të mbytyr në skamje, bashkëfshatarët e tyre përpiqen mesa munden t’i ndihmojnë sa për të mbajtur disi frymën gjallë.

“I kemi ndihmuar me çfarë kemi pasur mundësi, por nuk është zgjidhje një pako sheqer apo një gotë vaj”, thotë një banore e fshatit.

Top Channel