“Historia e tetë brezave të familjes sime”

08/10/2014 00:00

Caush Hysaj ka hulumtuar brezat e familjes që nga viti 1400 e deri më sot. 73-vjeçari ka punuar 5 vjet me radhë për të ndërtuar pemën gjenealogjike të familjes së tij.

“Ishte meraku im i madh që buronte nga shpirti që këto ngjarje të së shkuarës të mos i zinte pluhuri i harresës. Kujtimet janë thesar i paçmuar që lidhin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”, shprehet zoti Hysaj.

Kështu, në vitin 2009 iu rikthye me disiplinën e ushtarakut bllokut të shënimeve që i ati ia kishte lënë si trashëgimninë më të vyer në vitin 1984, kur kishte ndërruar jetë. Në të shkruhej për jetën e tij, por edhe për paraardhësit. Kjo ishte shkëndija që i dha kuptim këtyre viteve të fundit të z. Hysaj. Me shumë përkushtim ai shkeli vendet e origjinës ndër breza.

“Deri në 8 breza, nga Ymeri i pari, deri tek Sandri që është i fundit. Për këtë punë kam punuar shumë. Kam bërë shumë takime me të moshuar, kam shkuar në Shijak, në Fier, në Kras disa herë. Pastaj kam shkuar edhe në arkiv për të parë prejardhjen, origjinën”, shpjegon Caush Hysaj.

I radhiti deri në brezin e tetë, nga mesi i viteve 1400 e deri në ditët tona, nga babai tek pasardhësi mashkull që trashëgonte mbiemrin. Por, ata për të nuk ishin vetëm emra, por histori për të cilët duhej të hidhte në letër gjithçka kishte mësuar për jetën e tyre. Kështu, lindi  ideja e një albumi familjar në formën e një libri.

“Cdo të dhënë që merrja, e shkruaja në fletore. Pasi mbaroja, i rishikoja”, thotë Caushi.

Tashmë, trungu i familjes pret vetëm të pasurohet nga brezat pasardhës. Caushi është i qetë dhe i sigurt për këtë gjë pasi gjithë shënimet e tij i përpunon në programet përkatëse në kompjuter  së bashku me nipër e mbesa!

Top Channel