“Nuk ka bllokim të miellit kosovar”

08/10/2014 00:00

Ministri shqiptar i bujqësisë Edmond Panariti sqaroi gjatë një vizite në Kosovë se Shqipëria nuk ka vënë pengesa ndaj miellit kosovar. Ai i quajti keqinterpretime të deklaratave të tij lajmet e ditëve të fundit rreth gjoja bllokimit të miellit kosovar në kufi, pasi e vetmja gjë që po kërkon qeveria shqiptare është zbatimi i standardeve.

Sipas një rregulloreje të Bashkimit Europian ky standard kërkon që niveli i proteinave në miell të jetë 12.5%.
 
“Ju referoheni deklaratave të mia direkte dhe jo ato që dëshiron të pasqyroi shtypi. Ministri shqiptar është shprehur që konsumatori shqiptar, ka të drejtë të konsumoi miell cilësor dhe jo miell jo cilësor. Dhe në këtë pikëpamje mendoj se kjo është një deklaratë shumë e përgjegjshme dhe që shkon në interes me kërkesat e konsumatorit të Shqipërisë dhe Kosovës. Unë mendoj se nuk ka asnjë lloj shteg për keqinterpretim. Deklarata ka qenë shumë e drejtpërdrejtë, shumë e përgjegjshme dhe se nuk ka pasur asnjë qëllim që të përçmoi dikë”, tha Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë.

Këto deklarata ministri i bëri pas takimit me dyer të mbyllura me prodhuesit kosovarë të miellit në agjencinë kosovare të ushqimit.

“Produktet kosovare jane produkte cilesore, jane produkte te cilat janë të monitoruara nëpërmjet një sistemi i cili është vendosur në bazë të të gjitha standardeve më të larta të Bashkimit Europian dhe unë jam dëshmitar i faktit dhe vizita ime në autoritetin kombëtar të ushqimit dëshmon që ky autoritet zbaton metodat më të avancuara të Bashkimit Europian, është i pajisur me aparaturat e përshtatshme për të kryer një spektër të gjerë analizash, nga ato fizio-kimike dhe të gjithë treguesit e ndotjes dhe bëhet garant që produktet kosovare të respektojnë standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë”, tha Panariti.

“Nev produktet tona të cilat edhe i importojmë edhe ato të cilat prodhohen dhe eksportohen nga ana e prodhuesve kosovarë gjithherë monitorohen nga ana e agjencisë dhe mbi të gjitha mbi bazën e argumentit është laboratori ai i cili jep dhe e vlerëson në bazë të metodave të tij cilësinë e produkteve ushqimore në përgjithësi. Në këtë rast edhe për punën e miellit u dakorduam dhe gjithëcka është brenda asaj e cila kërkohet”, deklaroi Valdet Gjinovci, kreu i Autoriteti Ushqimor të Kosovës.

Drejtori i kompanisë së përfolur këto ditë për miellin sqaron se nuk ka patur problem me Shqipërinë përvecse kontrolle shtesë.

“Ne asnjëherë nuk kemi pas problem në eksport të miellit në Shqipëri, dmth gjatë tërë kohës ne kemi eksportuar. Ka pasur kontrolle shtesë nga autoriteti i Shqipërisë dhe kanë rezultuar analiza që i plotësojnë standardet e kërkuara dhe malli ka shkuar pa problem”, thotë Sead Shehu.

Ministri Edmond Panariti bëri të ditur se në nëntor do të prezantohet platforma kombëtare e ushqimit, që sic tha ai është e dyta platformë më e madhe ndërqeveritare, pas asaj në fushën e arsimit. Platforma do të jetë një dokument bazë i standardeve unike të cilësisë dhe sigurisë, të unifikimit të metodave e dokumentacionit që shoqëron mallin.

Top Channel