Zbulohen vizatime 40 mijë vjeçare në Indonezi

09/10/2014 00:00

Arkeologët zbuluan një sërë vizatimesh prehistorike në një shpellë në ishullin indonezian Sulavesi.

Zbulimi, thonë ata, mund të transformojë teoritë e deritanishme për mënyrën e zhvillimit të artit në hapat e para të njerëzimit.

Vizatimet ndodhen në dy faqet anësore të shpellës dhe arkeologët besojnë se datojnë 40 mijë vite më parë.

Shpella është përdorur si strehë nga njerëzit e hershëm të këtyre zonave për t’u mbrojtur nga moti i keq dhe kafshët e egra.

Vizatimet janë ndërtuar duke përdorur duart dhe gishtat e ngjyrosur. Njëra prej tyre tregon një kafshë që besohet se njerëzit e lashtë të këtij ishulli e gjuanin.

Zbulimi është i një rëndësie të veçantë për të riformuluar historinë e hershme të përhapjes së njerëzimit në tokë, pasi më parë kjo formë e hershme arti është gjetur vetëm në disa shpella në Europën Perëndimore.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel