Kur shpendët dhe kafshët bëhen pjestare te familjes

09/10/2014 00:00

Në shtëpinë e Ismail Stringës, pëllumbat dhe gardelinat zënë një vend të veçantë. 51 vite më parë ai nisi të merrej me rritjen e tyre në Elbasan, pasion që e ka trashëguar nga gjyshi. Mali, siç e thërrasin shokët, ishte vetëm 11 vjeç kur u kujdes për çiftin e parë të racës së famshme të Elbasanit.

“Janë dy lloj të ndjellure, në Tiranë e Durrës ka pëllumba të shpejtësisë, hundëderrat, e raca të ndryshme. Kështu kam dëgjuar të vjetrit, kështu kam vazhduar edhe unë, me këtë lloj të ndjellure. Pas së cilës pëllumbat afrohen dhe kërkojnë të hanë”, shprehet Ismail Stringa.

62-vjeçari, sot e ka kthyer papafingon e shtëpisë në një kafaz gjigant, ku pëllumbat trajtohen çdo ditë me ushqim, ilaçe apo pastrim, që në orët e para të mëngjesit.

“Kam disa pëllumba që i kam qejf fare, dua që t’i shtoj zogjtë e tyre, njëkohësisht unë vlerësoj edhe racën. Varet se çdo nxjerrin këto pëllumba që bëjnë vezë”, thotë Ismail Stringa.

Në fakt, pëllumbat i kanë dhënë një profesion. Nga dëshira për të ndërtuar rafte dhe kafaze, Ismaili nisi të punonte fillimisht si marangoz, e më vonë të hapte një mobileri të tijën. Edhe pse çdo ditë kalon mbi 4 orë me shpendët, kjo nuk i mjafton.

“Kryesore për to është që të jenë të qetë, të mos i ushqejnë shumë veta, të mos futen shumë, sepse janë zevzekë dhe lëvizjet e tepërta i kanë bezdi. Po t’i vinit re, atje rrinin si të sëmurë, sepse i kam lëvizur nga një kafaz te tjetri, kurse këto te papafingo janë në kafazin e tyre dhe janë më të gjallë. Nuk duhen kapur me dorë”, shton Ismail Stringa.

Ballinjtë, qafëkuqet apo rrocat përfaqësojnë denjësisht racën e pëllumbave të Elbasanit, pas të cilave Mali është shumë i afeksionuar. Di gjithçka për to, deri në detajet më të vogla, pasi lexon çdo libër që flet për racat e ndryshme.

“Këto lloj pëllumbash, sipas të dhënave i kanë sjellë duhanxhinjtë nga Turqia. Duke qenë tregtarë i kanë sjellë prej andej si racë. Sa ngjitem te shkallët këto fillojnë të lëvizin. As unë s’mund të rri pa to, as ato pa mua”, thotë Ismail Stringa.

Pushimet e gjata me familjen i ka shmangur, pasi pëllumbat duan kujdes të vazhdueshëm. Familja e mbështet plotësish këtë pasion, por paçka kësaj, bashkëshorja dhe dy djemtë e kanë të ndaluar të ngjiten në papafingo, kur Mali nuk është në shtëpi. Të thuash që pëllumbat janë miqtë më të mirë për të është pak, pasi ata janë pjesëtarët e familjes, me të cilët ka kaluar gjysmë shekulli.

Top Channel