Adem Pepnika, laboranti i madh i Bajram Currit

09/10/2014 00:00

Ishte fëmijë kur problemet e shumta me shëndetin e detyronin që shpeshherë të përballej me spitalet. Përkujdesi i mjekëve dhe pjesës tjetër të stafit e tërhoqën aq shumë vëmendjen e tij, saqë ndikuan në zgjedhjen e profesionit që do të mbante përgjithmonë.

Mes një jete aspak të lehtë dhe mes vështirësish të shumta për të përmbushur dëshirat dhe pasionet, Adem Pepnika është prej 43 vjetësh laboranti i mirënjohur dhe i dashur në qytetin e Bajram Currit.

Pasioni i tij për punën është i madh, madje kalon edhe kufijtë e normales. Ai nuk mund të shkëputet prej saj, të marrë pushime, apo të kalojë fundjavën larg mikroskopit.

Që nga vitet ’90, ai punon dhe jeton në këtë dhomë. E sajuar dhe e përshtatur për të qenë sa më praktike, Ademi ka vendosur aty edhe shtratin, ku dhe orët e gjumit janë të kufizuara, pasi duhet të nxjerrë sa më shumë rezultate analizash, me të cilat nuk ka gabuar kurrë.

“Kjo dhomë që shihni, për mua simbolizon urgjencat më madhore, pagjumësinë time ndër vite dhe vështirësitë e mia në vite. Kam pasur mundësitë të marr një dhomë dhe një krevat edhe në spital, gjëra që mi kanë premtuar mjekë të tjerë, por nuk e kam bërë këtë gjë, për arsye se duke ardhur urgjenca te Radiologjia për ndonjë të plagosur, të therur apo të rrëzuar, unë duhet të jem në laborator për të dhënë sa më shpejt për të dhënë ndërkohë përgjigjet sa më të shpejta. Krevati simbolizon shërbimin e madh që kam dhënë në të. Në pamundësi për të ardhur nga shtëpia ime andej, mua më gjejnë gjithnjë këtu në çdo kohë. Praktikisht unë jetoj këtu, e shkëputem vetëm kur shkoj ndonjëherë te vëllai apo te motrat”, u shpreh Ademi.

Rasti i rrallë i kryelaborantit Pepnika është vlerësuar një vit më parë nga Bashkia e qytetit, me titullin “Qytetar nderi”, por vlerësimet më të sinqerta vijnë nga kolegët, mjekët dhe laborantët e spitalit. Ata janë dëshmitarët e përditshëm të punës së palodhur të tij.

“Unë di të them se deri në këto çaste që po flasim, Adem Pepnika në 99% të rasteve ka qenë në spital ditë e natë, laborant cilësor, njerëzor, i edukuar, profesionist e me të gjitha të mirat. Them se nëse dikush e meriton titullin “hero pune”, duhej ta meritonte ky njeri i madh”, shprehet një mjek koleg.

“Kemi 26 vjet që punojmë me shef Ademin, është një njeri shumë punëtor, shumë i dashur me kolektivin, i rregullt dhe shumë cilësor në analizat që bën”, thotë një laborante.

“Kam pak vite që e njoh, pasi punoj prej 5 vitesh këtu, por do ta përmblidhja me pak fjalë. Nëse të gjithë ne punojmë për të jetuar, Adem Pepnika jeton për të punuar. Puna për të është gjithçka, kështu që nuk kam fjalë, e vlerësoj shumë punën e tij dhe gjithçka ka bërë ai për ne”, thotë një tjetër laborante.

“Kam 12 vjet që punoj me shef Ademin dhe të them të drejtën ndihem e privilegjuar. Kemi gjithmonë ndihmën dhe kujdesin e tij. Është një njeri i madh dhe shumë punëtor, i cili punon ditë e natë duke u shfaqur i palodhur”.

Mjekësia është pasioni i tij më i madh, por arti dhe kultura plotësojnë pjesën tjetër të jetës së Adem Pepnikës. Përveç se si laboranti i njohur i qytetit, ai njihet edhe si një artist i talentuar i qytetit të vogël verior.

Top Channel