Blushi merr çmimin Europian në Letërsi

09/10/2014 00:00

Në çeljen e Panairit të Frankfurtit, eventin më të rëndësishëm të librave, Shqipëria vlerësohet me çmimin Europian për Letërsinë.

Me këtë çmim, i cili i jepet për herë të parë një autori shqiptar, u nderua autori Ben Blushi për librin “Otello, Arapi i Vlorës”. Çmimi vlerëson autorët më të mirë të rinj dhe në fillimet e karrierës së tyre në Europë dhe është i hapur për vendet pjesëmarrëse në programin “Creative Europe”.

Në një bisedë telefonike me “Top News”, autori e quan marrjen e këtij çmimi inkurajim për gjithë shkrimtarët shqiptarë, një mundësi personale, por jo vetëm. Një hap që na afron me Evropën.

“Besoj se është një inkurajim për të gjithë ata që kanë pasion letërsinë. Shqipëria të paktën në 5-6 apo më shumë dekada ka qenë e izoluar dhe të tejkalosh kufijtë artistik apo kulturorë është gjithmonë një mundësi e madhe, një shans personal, por jo vetëm i tillë. Kam përshtypjen edhe më gjerë se kaq, pasi inkurajojnë të rinjtë që ne po kthehemi në shoqëri europiane relativisht. Për mua është një mundësi më shumë për t’u ndjerë europian”, u shpreh Ben Blushi, autor i librit dhe deputet i PS.

Secili fitues merr një shumë prej 5000 eurosh. Por, ajo që është më e rëndësishme është se autorët përfitojne nga promovimi i veçantë dhe prezantimi në nivel ndërkombëtar. Botuesit e tyre inkurajohen të aplikojnë për fonde nga BE-ja, që librat fitues të përkthehen në gjuhë të tjera për të hyrë në tregje të reja.

Në këndvështrimin e autorit Ben Blushi, përkthimi i letërsisë shqipe mbetet një sfidë e vështirë.

“Përkthimi mbetet një sfidë e madhe. Ne kemi autorë të mirë, por jo gjithmonë kanë fat të përkthehen, sepse shqipja është një gjuhë e vështirë, e panjohur dhe relativisht e paeksploruar. Besoj se në ditët që vijnë do të jetë një sfidë e madhe për shtëpitë botuese, për autorët, për institucionet, që të stimulojnë për praktika përkthimi, t’i lehtësojnë ato, sepse është ndoshta nga të vetmit kufij, që ndoshta nuk po e lëvizin dot kufirin linguistik, apo gjuhësor”, deklaroi Blushi.

Prezent në Panairin e Frankfurtit, autori e vlerëson këtë eveniment si një mundësi shumë e mirë për autorët shqiptarë dhe promovimin e tyre në arenën evropiane.

“Është shumë profesional. Ka shumë autorë dhe të jep mundësinë të njihesh me botues e autorë të tjerë, të zakonshëm apo edhe të mëdhenj në disa raste, pra të jep mundësi kontaktesh në përgjithësi, gjë që mund të shfrytëzohet nga autorët shqiptarë”, tha Blushi.

Krahas Blushit, u nderuan me çmim edhe autorë përfaqësues nga 12 vende të tjera evropiane, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do t’i prezantohet fituesve gjatë një ceremonie gala në Bruksel, më 18 Nëntor, në praninë e Komisioneres europiane për Arsimin e Kulturën dhe anëtarëve të Parlamentit Europian.

Top Channel