Virusi i Ebolas afrohet në Ballkan dhe i merr jetën personit të parë, një shtetasi britanik identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur për mediat.

Autoritetet Maqedonase konfirmuan lajmin se personi në fjalë, së bashku me mikun e tij po qëndronin në Shkup prej datës 2 tetor.

Ndërkaq, mjekët thanë se 58-vjeçari kishte shkuar në spital me temperaturë të lartë, hemorragji, si edhe dhimbje të forta stomaku. Këto simptoma të rënda të virusit i morën edhe jetën, por sipas zyrtarëve të shëndetësisë edhe miku i tij ka nisur të shfaq shenja të sëmundjes.

Doktoresha Kostovska u shpreh për mediat se autoritetet vendase i kanë marrë të gjitha masat. “Protokollet e sigurisë të parashikuara për këtë rast janë sipas standardeve ndërkombëtare. Ne kemi informuar menjëherë OBSH-në, megjithatë mostrat e gjakut të viktimës do të dërgohen edhe në Gjermani për analiza të mëtejshme”, tha Kostovska.

Reagime ka pasur edhe nga Minstria e Jashtme dhe e Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët thanë se po hetojnë rastin e rëndë. Gjithashtu edhe stafi i hotelit “Super 8”, ku britaniku qëndroi u  shoqëruan nga një ambulancë e Spitalit Shtetëror të Shkupit.

Lajmi i britanikut që humbi jetën për shkak të Ebolas ka zënë vend kryesor në mediat prestigjioze si “Reuters”, The Guardian”, britaniket “The Telegraph”, si edhe “Daily Mail”, e cila kishte edhe ekskluzivitetin e fotove të para nga Shkupi.

Epidemia e Ebolas është cilësuar si shumë e rëndë, pasi për rreth 5 muaj i ka marrë jetën mijëra personave dhe po përhapet me ritme të shpejta dhe në Europë e Amerikë.

Nga Shkupi korrespondenti i Top Channel, Rijad Murati ka raportuar se autoritetet maqedonase do të flasin zyrtarisht për rastin pas 48 orësh. Gjithashtu, ai thotë se rasti po trajtohet me shumë seriozitet dhe tashmë i është bërë autopsia, ndërsa materialet do të dërgohen për analizë në një laborator jashtë vendit. Ekipe të posaçme mjekësore kanë bërë dezinfektimin e klinikës dhe hapësirave të hotelit ku qëndronte shtetasi britanik. 

Top Channel