Transferimi i studentëve të privatëve

10/10/2014 00:00

Procedura për transferimin e studentëve  të cilët vijonin studimet në institucionet e arsimit të lartë privat, të cilave iu hoq licenca  do të zgjasë deri në 13 tetor. Ministria e Arsimit, Lindita Nikolla tha se ministria do të jetë fleksibël për datat në mënyrë që asnjë student mos të penalizohet.

“Do të ishin vet institucionet e arsimit të lartë që u mbyllën ato që garantojnë vijueshmërinë e transferimit të studentëve, por duke parë papërgjegjshmërinë e këtyre institucioneve dhe të vendosur për të qenë në krah të studentëve për të mësuar një të drejtë të mohuar të tyre ne po mundësojmë dhe brenda afateve kohore ne do të realizojmë në mënyrë të plotë transferimin e studentëve”, tha ministrja e Arsimit.

Institucioni i lartë arsimor “Vitrina” nuk ka pajisur studentët me dosjet përkatëse, çka ka vështirësuar procedurat të cilat janë marrë përsipër nga Ministria e Arsimit.

“Agjencia Kombëtare e Provimeve po vijon punën për realizimin e procesit të matrikulimit të këtyre studentëve. Kjo agjenci e ka dhënë në kohën e duhur listën dhe numrin e matrikulimit përkatës këtyre institucioneve. Ne po operojmë edhe për rastet që kemi deklaruar në publik ku mungon lista e notave, duke përdorur çdo informacion që ne kemi marrë nga këto institucione që janë mbyllur. Kthimi i krediteve mund të shënoi të njëjtin vit akademik ose më pak, kjo është në varësi të komisioneve të ngritura nga këto institucione të arsimit të lartë që presin këta studentë”, shtoi ministrja Nikolla.

Për çdo dosje studenti do të bëhet ekuivalentimi  i krediteve çka do të thotë që shumë studentë mund të ripërsërisin vitet pasi kanë ndjekur programe të palicensuara.

Top Channel