Aktivistja pakistaneze e të drejtave të njeriut, Malala Yousafzai, dhe aktivisti indian për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Kailash Satyrathi, ndajnë për këtë vit çmimin Nobel për Paqe.

Në moshën 17-vjeçare, aktivistja pakistaneze bëhet fituesja më e re e një çmimi Nobel. Ndonëse vetëm një adoleshente, ajo mban mbi supe peshën e madhe të kundërshtimit të talebanëve në vendlindjen e saj.

Dy vite më parë ishte objekt i një sulmi militant, për shkak të kundërshtimit të një urdhëri të talebanëve për ndalimin e arsimimit të femrave. Sulmi e la të plagosur rëndë, por fatmirësisht i mbijetoi plagëve.

Pas shërimit në një spital britanik, Malala është rikthyer si aktiviste për të mbrojtur të drejtën e femrave për t’u arsimuar.

***
Dëshironi një punë ku ta zgjidhni vetë, kur do të shkoni dhe sa orë do të angazhoheni? Microsoft realizoi ëndrrën për gjithë punonjësit e tij në degën e Gjermanisë.

Kompania e Bill Gates ka hequr nga detyrimi plotësimin e një orari javor, por edhe detyrimin për t’u paraqitur në zyrat qendrore të kompanisë.

Tani e tutje, pas këtij vendimi, punonjësit e Microsoftit në Gjermani mund të punojnë ku të duan dhe kur të duan, me kushtin e vetëm; plotësimin e objektivave dhe pritshmërive të kompanisë.

***
Makiato më e mirë në botë pihet në Kosovë. Ky është përfundimi i redaktores së “Yahoo Travel”, Jo Piazza, e cila udhëton nëpër vende të ndryshme të botës për të promovuar turizmin.

“Mburrja me makiaton më të mirë është një zakon i vjetër kombëtar në Kosovë”, shkruan Piazza në editorialin e saj. “Kudo që të jesh, nuk ka rëndësi se ku, ju do të gjeni një makiato shumë më të mirë se sa ajo italiane”, – i ka rrëfyer një kamarier gazetares, gjatë qëndrimit të saj në një hotel në qytetin e Gjakovës.

“Sekreti”, sipas të intervistuarve, qëndron te fakti se italianët thjesht përziejnë qumështin me kafenë. Ndërsa në Kosovë, qumështi zihet dhe në sipërfaqe krijohet një shtresë e shijshme kremoze.

Top Channel