Analizat për personin e gjetur të vdekur në një hotel të Maqedonisë dolën negative për sëmundjen e Ebolës. Analizat janë kryer në Gjermani dhe janë pritur me ankth edhe nga autoritetet shqiptare, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet kjo sëmundje nëse vjen kaq afër kufijeve.

“Dua të informoj se rezultati ka arritur dhe është negativ, që do të thotë se pacienti nuk ishte me Ebola. Kemi informuar ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe OBHS-në dhe kemi urdhëruar heqjen e karantinës për personat që ndodheshin në hotel”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Jovanka Kostova.

Këtij lajmi i janë gëzuar 25 personat e izoluar në hotelin ku ndodhej 27-vjeçari britanikë. Disa prej tyre kanë lënë hotelin sapo kanë marrë vesh lajmin, ndërsa të tjerë do të rrijnë edhe disa ditë.

“Dita e parë ishte e vështirë, duhet të hanim ushqim të gjithë në të njëjtën dhomë. Nga frika se bëhet fjalë për një virus të rrezikshëm qëndruam atje. Stafi i hotelit ishte shumë i mirë dhe nuk patëm probleme”, tha një turiste.

“Kishim ushqim dhe pije, gjithçka ishte në rregull. Shqetësimi i vetëm ishte mungesa e informacionit. Këdo që pyesnim na përgjigjej ‘ne nuk dimë asgjë’”, tha një tjetër.

Ndërkohë, burime nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se do të kryhet autopsia e kufomës për të zbuluar shkaqet e vërteta të vdekjes së shtetasit britanik.

Top Channel