Rekrutimi i errësirës – ISIS dhe realiteti social shqiptar

12/10/2014 00:00

Dorian Koçi – Një luftë e largët dhe një betejë pa ideal për shqiptarët, papritur nga të përditshmet dhe lajmet televizive, hyri në fillim në bisedat e zakonshme derisa u artikulua si shqetësim edhe në diskursin publik.

ISIS dhe etniteti shtetëror i kalifatit islamik, një emër i nxjerrë nga arkivat e fillimit të shekullit të kaluar kur po jepte shpirt pas rënies së Sulltanit të fundit në Stamboll, ka ngërthyer botën mbarë me monstruozitetet dhe intolerancën, duke na kujtuar se vërtet kemi kohë që po mundohemi dhe themi që bota është bërë më e mirë, por në të, ka ende xhepa dhe skuta ku urrejtja ndaj Tjetrit dhe dhuna shihen si të vetmet mjete për të promovuar idetë dhe dogmat e ndryshme. Po çlidhje mund të ketë mes një Shqipërie të shpallur prej kohësh që prej themelimit të saj si shtet i pavarur kombëtar si sekularist dhe një xhihadi fondamentalist shumë km larg nesh? Çështja është serioze, por jo për të dhënë alarmin në kufijtë e frikës. Në luftën në Siri dhe në krijimin e ISIS ka dhe shqiptarë, dhe ky fakt nuk është se mund të anashkalohet. Prej më se një viti po dëgjojmë dhe për të vrarë në Siri ndër shqiptarë këndej e andej kufirit, derisa pamë pamjet ngjethëse të Lavdrim Muhaxherit që na shokuan të gjithëve. Përgjatë një zhvillimi të vrullshëm dhe kaotik të tranzicionit, ngrehina shtetërore dhe shtetformuese nuk ka funksionuar si duhet. Kjo gjë është e vërtetë si për mirëqenien sociale, edukimin, kulturën e deri te feja. Personalisht nuk jam partizan i ndërhyrjes shtetërore në gjithçka dhe kudo, madje njerëz që shfaqin prirje të tilla janë të destinuar të dështojnë, por nuk besoj se po bëj ndonjë sakrilegj nëse them se mungesa totale e shtetit në periferitë është zëvendësuar dalëngadalë nga institucione të tjera që kanë afruar kinse një kujdes social për të përfituar dhe përgatitur ushtarë që t’i bashkëngjiten dhunës.

Nuk është ndonjë filozofi e madhe për ta kuptuar këtë devijim social që ka ndodhur në periferitë tona, pasi modele të tilla të ngjashme janë shfaqur kudo ku vendin e një tendence sekulariste të shoqërisë e ka zënë agresiviteti i shpallur i një besimi fetar. Egjipti, Algjeria janë shembuj tipikë, ku ndryshimet sociale të nisura drejt sekularizmit në vitet 60’, me korruptimin e elitave të tyre dhe ndërtimin e jo demokracive funksionale, periferitë e tyre e panë veten shumë shpejt nën ndikimin e vehabizmit e të ngërthyer nga ethet e fanatizmit fetar. Shqipëria padyshim që është një rast tjetër, kjo gjë jo vetëm se jemi larg gjeografikisht me vendet e Afrikës Veriore, por edhe pse nuk kemi shumë gjëra të përbashkëta me to, në perceptimin rreth Perëndimit e Europës. Mirëpo, pavarësisht kësaj, për fat të keq një aradhë të rinjsh shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria kanë ikur “nizamë” si në kohën e qëmotit për t’u rreshtuar në forcat e ISIS-it. Të kuptohemi, nuk po kërkojmë armiq imagjinar, as po shprehim mentalitet bunkerësh, por nuk ka ndryshe sesi shpjegohet kjo ikje e re “nizamësh” aty ku “piqet buka në diell” për të rënë në një luftë që nuk i intereson aspak Shqipërisë dhe shoqërisë sonë. Duket qartë se formula e vjetër kombformuese është tkurrur përkundrejt identitetit fetar, por kjo është një betejë e vjetër po aq sa ekziston dhe shteti shqiptar. Për të mos rënë në kurthin e përditshëm të kësaj kundërvënie, kultura, arti, vetëdija nacionale, historia, shteti, mirëqenia sociale duhet të gjenden pranë individit jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në skajet më të largëta e periferitë shqiptare. A kemi arritur të kemi një realitet të tillë? Pa dyshim që jo. Gjithçka në Shqipëri është e përqendruar në qendër dhe qyteza të vogla e të humbura shqiptare, përveçse janë të humbura në mjerim po kridhen dhe në terrin e injorancës të prodhuar nga qytetërimi ynë modern i individualizmit dhe mospërfshirjes në punë që nuk sjellin fitim. Qytezat tona janë pa kinema, pa biblioteka, pa teatër amator, pa muze ku të rinjtë mund të sendërtojnë kulturën e tyre dhe të mësojnë për universalizmin dhe modelet e suksesshme të integrimit social. Për fat të keq i vetmi institucion funksional si shkolla, nuk mund ta përmbushë boshllëkun, pasi në këto 24 vjet më së shumti kemi ndërtuar një model në arsim, ku kemi shkolla që luftojnë analfabetizmin, por rrisin analfabetizmin funksional. Kryeqyteti nuk afron asgjë se resurset e veta e për më tepër kolonia e artistëve të diplomuar në të janë gati të vërviten për ndonjë fond rrugëve të kryeqytetit, por jo të kontribuojnë në qytezat e origjinës.

Rekrutimi i fundit osman në territoret shqiptare ka qenë i vitit 1911, ku u dërguan trupa për të shtypur kryengritjen në Jemen, rekrutimi më i fundit i errësirës në Shqipëri po ndodh në qytezat tona duke marrë sërish “nizamë” e nisur mish për top në Siri. Na duhet ta fitojmë luftën me errësirën në qytezat tona para se të merremi me politikë të madhe globale, për të shpjeguar si arriti bota arabe në fenomenin e ISIS e duke harruar farët e fenomenit ISIS brenda nesh.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel