Kur të moshuarit e Fterrës organizohen si në “Parlament”

13/10/2014 00:00

Keni dëgjuar ndonjëherë për “parlamentin” e Fterrës? Edhe pse emri mund të krijojë keqkuptime, nuk jemi në ndonjë parlament të vërtetë, por në takimet e përditshme të intelektualëve të fshatit Fterrë në Vlorë.

Sot, “parlamentarët” kanë organizuar takimin e radhës pranë Shtëpisë së Ushtrisë, me rastin e ditëlindjes së një miku. Si në një parlament të vërtetë, seanca hapet nga kryetari.

“Të nderuar vëllezër e motra, të nderuar anëtarë të parlamentit të Fterrës, ju uroj mirëseardhjen. Me porosi të profesor Bezhanit festojmë ditëlindjen e tij, ai na ka dërguar diçka për ta uruar, në pamundësi për të ardhur vet”, shprehet Rexho Kurupaj.

Për herë të parë, të moshuarit u mblodhën në vitin 1992, kohë kur pjesa më e madhe dolën në pension. Në fillim ishin 5 vetë, ndërsa sot, 22 vite më pas, ata janë mbi 25 burra e gra.

“Këtu rrihen problemet kryesore, ato që na shqetësojnë më së shumti, qoftë neve si intelektualë që jemi në Tiranë, ashtu dhe fshatit që jeton ende aty. Fjala ‘parlament’ si iu vu mbledhjeve të fshatit tonë? Vite më parë mblidheshin burrat e fshatit tonë, tashmë edhe gratë marrin pjesë, ndërsa kur nipçja im pa burrin të veshur gati për të dalë, e pyet ‘ku po shkon gjysh, në parlament?’. Që prej atëherë doli edhe numri i parë i gazetës së fterajve, me emrin ‘Parlamenti i Fterrës’”, shprehet Elvira Zhupa.

Rregullat janë të pashmangshme në çdo parlament, kështu që as ai i Fterrës nuk bën përjashtim. Të gjithë i zbatojnë, nëse duan të jenë pjesë e grupit.

“Këtu në parlamentin e Fterrës, neni numër 1 është: Vjen dhe ikën kur të duash. Neni numër 2, nuk marrim nëpër gojë as Fterrën dhe as fteriotët, por sigurisht për mirë po. Neni numër 3, mundësisht në këtë tavolinë nuk merremi me politikë, sepse prej mendimeve të ndryshme edhe mund të bëjmë fjalë. Neni numër 4, secili paguan të vetat. Sot për shembull nuk do paguajë asnjëri, sepse e kemi peshqesh nga Bezhani”, tha Rexho Kurupaj.

Dollinë e parë të urimit e ngre më i moshuari, 81-vjeçari  Bardhyl Xhama.

“Këtë dolli dua ta ngre për të gjithë ju anëtarët, shëndet të gjithëve”, uron Bardhyl Xhama.

Takimet janë të përditshme në orën 10. Ditën e shtunë, numri i pjesëmarrësve është më i madh, pasi shtohet pjesa tjetër që kanë mundësi vetëm fundjavave. Fteriotët, prej 17 vitesh, kanë dhe gazetën e tyre, ku diskutojnë problemet e përditshme.

“Temat janë të përditshme dhe të përhershme, por edhe ajo që në një moment të caktuar përbën problemin kryesor. Si për shembull, problemi ynë aktual është rruga e Fterrës. E diskutuam, u mblodhën fonde edhe me atë që kishim mundësi ne”, shprehet Agron Xhama.

Mes tyre ka ekonomistë, mjekë, stomatologë, ish-ushtarakë e madje edhe akademikë. Suksesi i grupit është respekti për çdo anëtar, pa harruar komunikimin.

Me shumë gjasa, “parlamenti” do të vazhdojë të fiksojë takime e seanca në harmoni ende për shumë kohë, si për t’i dhënë shembull parlamentarëve të vërtetë.

Top Channel