Çadra e ka zanafillën e krijimit rreth 3 mijë vjet më parë. Që atëherë objekti nuk ka ndryshuar shumë përsa i përket strukturës së tij, një shufër metali e rrethuar nga një kafaz telash të mbuluar me një copë të prodhuar nëpër fabrika. Por së fundmi ka ardhur dhe risia: çadra prej ajri.

Bëhet fjalë për një krijim të publikuar në faqen Kickstarter, web site numër 1 në botë për mbledhjen e fondeve për zhvillimin e projekteve kreative. Çadra prej ajri, e projektuar në tre modele, ka formën e një shufre me një piramidë të përmbysur në majë, nga e cila del ajër i fortë që mban larg shiun.

Objekti, në vartësi të modelit, ka gjatësi të ndryshme nga 30 në 50 dhe 80 centimetra. Ai funksionon përmes baterive që mund të mbajnë 15 minuta për modelin e parë dhe deri në 30 minuta për modelin e dytë dhe të tretë. Pra, është i përshtatshëm për reshjet e stinës që nuk janë shumë të forta dhe për distanca të shkurtra.

Gjithësesi, kjo nuk është hera e parë që dëgjohet të flitet për këtë koncept. Në vitin 2010 mediat raportuan për një model të tillë çadre të dizajnuar nga një stilist korean, por që nuk u prodhua kurrë.

Modeli i ri, i hartuar nga stilistët në lokalitetin Nanxhing të Kinës, mund të ketë të njëjtin fat. Deri tani fushata për mbledhjen e fondeve në faqen Kickstarter ka siguruar vetëm 4 mijë dollarë nga 10 mijë që është synimi i stilistëve, kur kanë mbetur edhe 11 ditë nga përfundimi i saj.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel