Zbulohet thesari 1000-vjeçar i vikingëve

14/10/2014 00:00

Një depo me artefakte ari dhe argjendi që datojnë mbi 1 mijë vjet më parë dhe që u përkisnin vikingëve është zbuluar nga gjahtarët e thesareve në Skoci.

Zbulimi është bërë përmes një detektori metalik dhe thesari konsiderohet nga ekspertët si një ndër më domethënësit të gjetur ndonjëherë.

Derek McLennan, një biznesmen i tërhequr, gjeti mbi 100 objekte në një fushë në Damfrishajër, në jug-perëndim të Skocisë.

Mes objekteve janë edhe një kryq i fortë argjendi që mendohet se daton në shekullin e nëntë apo të dhjetë dhe një ibrik po prej argjendi me origjinë nga Evropa perëndimore, që ka gjasa të ketë pasur 100 vjet ekzistencë para se të groposej.

“Ekspertët kanë nisur të ekzaminojnë zbulimet, por duket qartë që bëhet fjalë për një nga thesaret më të rëndësishme të vikingëve të zbuluar ndonjëherë në Skoci”, njoftoi Njësia e Zbulimit të Thesareve të Skocisë në një komunikatë.

Vikingët, me prejardhje skandinave, kanë kryer bastisje të shumta dhe të dhunshme në brigjet britanike nga shekulli i tetë deri në atë të njëmbëdhjetë, duke blerë objekte me vlerë për t’i ruajtur, të cilat janë gjetur gradualisht nga brezat e ndryshëm të gjahtarëve të thesareve.

“Vikingët njiheshin për bastisjen e këtyre brigjeve në të kaluarën, por sot ne mund të vlerësojmë atë që ata kanë lënë pas”, deklaroi Fiona Hyslop, ministre për Kulturën dhe Punët e Jashtme të Skocisë.

Një depo tjetër me sende me vlerë e luftëtarëve të egër nordikë u gjet në vitin 2007 në veri të Anglisë, ndërsa në vitin 1840 mbi 8.600 sende prej ari e argjendi u zbuluan në veri-perëndim të vendit.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel