Ditën e enjte, armë, tanke dhe avionë do të pushtojnë kryeqytetin e Serbisë, Beogradin, në kuadër të një parade që mbahet katër ditë më herët në nder të vizitës së presidentit rus Vladimir Putin.

Bëhet fjalë për një veprim që simbolizon ndarjen sipas modelit të Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit, këtë herë për shkak të Ukrainës, konflikt që ka prishur ekuilibrin e Serbisë në marrëdhëniet me Rusinë dhe BE-në.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë mirëpritur idenë që Putin dhe kryeushtaraku i tij të nderohen nga një paradë me 4.500 ushtarë serbë, në një kohë kur NATO thotë se ushtarët rusë vazhdojnë luftën në lindje të Ukrainës.

“Ju mund të keni marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, madje edhe me Shtetet e Bashkuara. Por këndvështrimi ynë sa i takon vizitave të zyrtarëve kinezë dhe atyre rusë ndryshon. Kinezët nuk kanë sulmuar askënd, ndërsa rusët po”, deklaroi një muaj më parë ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby, për të përditshmen “Veçernje Novosti”.

Megjithatë, më vonë diplomati amerikan e uli paksa tonin, duke thënë se nuk po i tregonte Serbisë se kë zyrtar të ftojë, por se deklaratat e tij vinin në dukje situatën e tendosur në të cilën ndodhet vendi.

Që nga rënia e Sllobodan Millosheviç në vitin 2000 pas një dekade luftë, Serbia është orientuar drejt Bashkimit Evropian, por detyrimet e saj ndaj Rusisë mbeten të mëdha. Kjo, pasi është Rusia që përmes vetos në Këshillin e Sigurimit pengon njohjen e Kosovës nga OKB.

Top Channel