Serbët, incident edhe me gazetarët

14/10/2014 00:00

Incidentet me serbët duket se kanë qenë programuar të ndodhin ditën e fundit dhe vetëm disa orë përpara ndeshjes.

Një grup gazetarësh, biznesmenësh dhe familjarë të futbollistëve të kombëtares shqiptare, janë ndaluar për më shumë se 2 orë në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit dhe shkak për këtë incident është bërë një shall i kombëtares shqiptare, me mbishkrimin “Albania”.

“Në mënyrë të pashpjegueshme policia serbe, pasi lejoi disa shtetas shqiptare, iu vuloste pasaportat dhe ndër ta isha dhe unë, iu drejtua një prej shqiptarëve, i cili kishte një flamur ku shkruhej ‘Albania’. Menjëherë pas kësaj dukej sikur diçka ishte e organizuar dhe policia serbe ndërhyri e ndaloi të gjithë shqiptarët, përfshi edhe ata që u kishin vulosur pasaportat dhe i ndaloi të kalonin, duke folur me një ton jo normal të qëndronin në një cep të sallës. Më pas ata kontrolluan pasaportat, nuk dhanë asnjë shpjegim, përveç faktit se njëri prej tyre tha që për arsye sigurie unë i numëroj njerëzit. Na u kontrolluan sërish pasaportat dhe asnjë shpjegim tjetër. Duhet thënë se situata, që zgjati rreth 2 orë e gjysmë, u zgjidh falë ndërhyrjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe personalisht kryeministrit, të cilët kanë kërkuar me forcë që shtetasit shqiptarë të lejohen të kalojnë kufirin. Nga ky moment e tutje, me ndërhyrjen edhe të një përfaqësuesi të lartë të FSHF-së, shqiptarët u lejuan të kalojnë grupe-grupe, të fundit mbajtën personin që kishte shallin. Ndoshta kërkonin edhe ndonjë argument të fundit, pasi e pyetën atë nëse kishte në shall simbolet e UÇK-së, por aty ishte shkruar vetëm ‘Albania’. Nga ky moment e tutje situata ndryshoi për mirë”, tregon mbi situatën gazetari Sokol Balla.

Djali me shallin me simbole shqiptare, duke folur edhe ai për Top Channel përmes linjës telefonike, u shpreh:

“Sa më panë shallin me shenjën e Shqipërisë na kapën të gjithëve dhe na ndaluan aty. Erdhi policia dhe më pyeti nëse isha i UÇK-së, ndërkohë që unë iu përgjigja që isha nga Tirana, Shqipëria. Iu dhashë për të lexuar edhe shallin, ku shkruhej vetëm ‘Albania’, por sërish qëndruam për nja dy orë aty. Patëm faktikisht një punë të shkëlqyer edhe nga gazetari Sokol Balla. Shallin donin ta mbanin, por e kam në valixhe, nuk iua lashë. Edhe kur mbërritëm te hoteli, erdhën disa forca speciale dhe pyetën për mua, më kontrolluan valixhen dhe sërish donin të ma merrnin, por unë refuzova t’iua lija. Çdo gjë u mbyll dhe vazhdoi normalisht”, shprehet personi i kontrolluar nga forcat serbe.

Ndërkohë, menjëherë pas lënies së lirë së tyre, Minitria e Jashtme e Shqipërisë, e cila ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me vendet e BE dhe drejtuesit e qeverisë serbe, ka thirrur në një takim urgjent ambasadorin e Serbisë në Tiranë, për të mësuar më shumë rreth shkaqeve të këtij incidenti.

***

Për situatën u njoftua ambasadori shqiptar në Beograd Ilir Boçka, i cili nisi menjëherë negocimet me autoritetet serbe.

Mes personave të bllokuar ishte edhe gazetari i Top Channel, Sokol Balla që në Twitter vuri në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme për situatën në të cilën ndodheshin 45 shtetasit shqiptarë, edhe pse një pjesë e madhe e tyre me pasaporta shërbimi.

Pas publikimit të lajmit për bllokimin 45 shtetasve shqiptarë në Aeroportin e Beogradit, menjëherë ka reaguar Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila thirri në mënyrë urgjente Ambasadorin e Serbisë në Shqipëri, Miroljub Zariç, për  t’i shprehur shqetësimin e krijuar.

“Ministria e Punëve të Jashtme shprehu qartë qëndrimin që nuk do të tolerojmë që të cënohet asnjë shtetas shqiptar në Beograd. U bëmë thirrje palës serbe që të tregojë maturi dhe të mos përdoret një ndeshje futbolli për politikë, sepse vendi i futbollit është në fushën e blertë dhe jo në dyert e aeroporteve apo kancelarive diplomatike. Kjo situate nuk i shërben situatës dhe raporteve dypalëshe”, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, pas takimit të Ministrit Bushati me ambasadorin serb Zariç.

Top Channel