Blushi sjell në Shqipëri Çmimin Europian të Letërsisë

14/10/2014 00:00

Çmimi Europian për Letërsinë vjen për herë të parë në Shqipëri. Ben Blushi është zgjedhur mes 13 shkrimtarëve më të mirë në Europë.

Prezantimi u bë në Panairin e Librit të mbajtur në Frankfurt. Blushi u nderua me këtë çmim për librin “Otello, Arapi i Vlorës”. Me sa duket, ky libër është fatsjellës për Blushin, pasi me të, në vitin 2009, u shpall autori i vitit në Shqipëri.

Ky është botimi i dytë i Blushit. Ai ka botuar edhe romanet “Të jetosh në ishull” dhe “Shqipëria”, ndërsa këtë vit botoi esenë “Hëna e Shqipërisë”.

“Çmimi Europian i Letërsisë” zgjidhet nga Federata europiane e Botuesve dhe jepet prej vitit 2009 për autorët e rinj më të mirë në Europë. Shqipëria, për herë të parë sivjet, fitoi të drejtën e konkurimit. Në vendin tonë, Shoqata e Botuesve shqiptarë përzgjedh autorët më të mirë, që do të garojnë në nivel europian.

Janë disa kritere, që duhet të plotësojë shkrimtari pjesëmarrës. Ai duhet të jetë shtetas shqiptar. Ky autor duhet të ketë botuar 2-4 libra artistikë. Këto botime duhet të jenë bërë jo më larg se 5 vite nga dhënia e çmimit. Veprat e autorit fitues nuk duhet të jenë botuar në më shumë se 4 gjuhë të huaja. Çmimi u jepet “talenteve të reja”, jo për sa i përket moshës, por krijimtarisë.

Ceremonia zyrtare do të mbahet në Bruksel, më 18 Nëntor, dhe çmimet do të ndahen nga Komisionerja e BE-së për Kulturën, Androulla Vassiliou. Ajo tha se ky çmim u dedikohet autorëve të rinj të Europës, pavarësisht se nga vijnë apo gjuhës që flasin. Qëllimi është shfaqja e literaturës më të mirë bashkëkohore, nxitja e shitjeve ndërkufitare dhe promovimi i përkthimit, publikimit dhe leximit të literaturës së vendeve të tjera.

Libri fitues përkthehet në disa gjuhë të huaja dhe i garantohet pjesëmarrja në panairet më të mëdha të librit në Europë.

Top Channel