Serbët bllokojnë sloganet “kuqezi je ti”

14/10/2014 00:00

Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë duket se, përveç tensioneve me tifozët, ka sjellë edhe problem në bordurat e fushës.

Digitalb, që shoqëron kombëtaren shqiptare në të gjithë këtë udhëtim të sajin në kualifikueset e kampionatit të ardhshëm europian, do të jetë në Beograd, në publicitetet qëndrore që rrethojnë fushën e blertë, por jo ashtu siç do të dëshironte gjithkush.

Serbët kanë refuzuar që në stadium të dalë publiciteti me mbështetjen për kombëtaren shqiptare, duke mos pranuar parrullat “KUQeZIjeTI”, “JEMI GATI”, “UNË BESOJ” dhe “Mbështesim Kombëtaren KUQeZI”.

Më parë, Digitalb kishte arritur marrëveshjen me kompaninë ndërkombëtare të licencuar nga UEFA, që administron publicitetet, dhe kur gjithçka ishte zgjidhur, sot pala serbe ka këmbëngulur që asnjë nga parrullat të mos shfaqet në “ledwall”-et anash.

Madje, në parrullën “Mbështesim kombëtaren kuqezi”, fjala kombëtare është interpretuar nga pala serbe edhe pranë autoriteteve të UEFA-s si “luftarake”, duke iu referuar një fjale të ngjashme në anglisht, “kombat”, që do të thotë luftim.

Por, pavarësisht këtyre pengesave nga pala serbe, Digitalb do të jetë në publicitetet anash fushës, përmes logos që do të shfaqet vazhdimisht gjatë ndeshjes, duke shpalosur edhe në stadiumin e Beogradit ngjyrat kuqezi.

Top Channel