Pranga bandës shqiptare në Belgjikë

14/10/2014 00:00

Shqipëria u përfshi nga drejtësia belge në një operacion policor për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal i cili vepronte prej kohësh në këtë vend duke vjedhur e grabitur me dhunë.

Drejtorja e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Fjorida Ballauri tha për mediat se Belgjika i kishte nisur hetimet dy vjet më parë, ndërkohë që aksioni është kryer mëngjesin e kësaj të martë në të dyja vendet.

E ndërsa në Belgjikë u arrestuan në këtë aksion 13 shtetas shqiptarë, një turk dhe një armen, me urdhër të gjykatës prokuroria kreu kontrollet e banesave të të dyshuarve në qytetin e  Shkodrës dhe në rrethinat e saj.

Prokuroria e Përgjithshme thotë se ndaj shqiptarëve të arrestuar në Belgjikë, shumica e tyre kushërinj e lidhje shoqërore me njëri-tjetrin u arrit të gjendeshin prova që i inkriminojnë në procesin penal të regjisruar në qytetin belg të Leuvenit.

“Menjëherë pas zbulimit të këtyre provave në Shqipëri, pas koordinimit në kohë reale me autoritetet belge, u krye në Belgjikë arrestimi e 13 shtetasve shqiptarë dhe dy të huajve të tjerë. Më konkretisht, u arrestuan shtetasit: Besmir Allushi, Gentian Syla,j Denis Sylaj, Erald Agajçi, Leonard Velaj, Zamirjan Meti, Elis Rroshkodoli, Gentiana Burgaj, Elis Sylaj, Siditian Sylaj, Avenir Hasanaj, Përparim Isufaj, Gledis Agolli, Qatip Amal (shtetasi turk) dhe Torosian Edgard (shtetas armen)”, deklaroi shefja e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Fjorida Ballauri.

Në banesat e të arrestuarve u sekuestruan rreth 150 mijë euro, katër automatikë, dy pistoleta dhe një pushkë, rreth 50 ora të shtrenjta si edhe bizhuteri floriri  dhe unaza me diamantë. Sipas prokurorisë anëtarët e këtij grupi kanë krijuar pasuri të shumta në një kohë që ka dyshime të forta se të dyshuarit dhe bashkëpuntorë të tjerë të mundshëm janë përfshirë në një rrjet të gjerë vjedhjesh duke i transferuar paratë e përfituara në Shqipëri.

Top Channel